Champions League rikthehet këtë të martë me 9 takime mjaft të forta dhe që mund të vendosin shumë për fatin e skuadrave në vazhdimësi.
Spikat supersfida Atalanta-Real Madrid. Italianët po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe pasi rrëmbyen kreun në Serie A, do të tentojnë për një rezultat pozitiv dhe përballë gjigandëve madrilen.
Nga ana tjetër te spanjollët situata nuk është aspak e njëjtë. Në rast të një tjetër disfatë, llogaritë për ekipin e Ancelottit do të vështirësoheshin dhe më shumë. Me vetëm 6 pikë pas 5 ndeshjeve, te Reali janë ''të dënuar'' për të fituar.
Për trajnerin Gasperini, mungon Cuadrado dhe Scalvini të dy të dëmtuar ndërsa madrilenët bëjnë llogaritë pa të përhershmit, Alaba Carvajal, Éder Militão, Camavinga dhe Mendy.
Një tjetër ndeshje e fortë pritet të jetë dhe ajo mes Bayer Leverkusenit dhe Interit. Gjermanët kanë 5 ndeshje radhazi që fitojnë por përballë skuadrës së Inzaghit që dhe këtë edicion mbetet një pretendent për të fituar trofeun në fund, detyra do të jetë shumë e vështirë.
Në anën tjetër, PSG-ja nuk njeh fitore në Ligën e Kampionëve prej katër ndeshjeve, dhe sot në mbrëmje francezët i pret një transfertë e vështirë siç është ajo ndaj Salzburg në Austri. Një ndeshje jetike për parisienët që do të duan me çdo kusht fitoren pasi në 5 javë ka grumbulluar vetëm 4 pikë dhe ndodhet në vendin e 25 në klasifikim.
Në anën tjetër, Liverpooli kërkon vazhdimësi dhe të marshojë i qetë në krye. Këtë herë the Reds përballen me Gironen. Për Trajnerin Slot rikthehet Alisson ndërsa Diogo Jota nuk ka udhëtuar me skuadrën. Në takimet e tjera, Bayern luan me Shaktar Donetsk, Club Brugge me Sporting ndërsa Leipzig me Aston Villa. (A2 Televizion)