Chelsea triumfoi në supersfidën e javës së 15 të Premier League përballë Tottenham. Suksesi 4-3 i bluve në derbin e Londrës u realizua me përmbysje, në një duel me emocione të forta.
Solanke dhe Kulusevski krijuan iluzionin e fitores së lehtë për Tottenham, me dy gola të realizuar në 11 minutat e para të sfidës. Të dy lojtarët e Spurs përfituan nga gabimi i Cucurella dhe e dërguan topin në rrjetë.
Megjithatë, ndeshja sapo kishte nisur dhe pjesa e parë zbavitëse rezervoi golin e Sancho, që riktheu Chelsean në lojë në të 17-ën.
Në fraksionin e dytë, skuadra e Enzo Maresca ishte dominuese dhe në të 61-ën riktheu barazpeshën me penalltinë e Cole Palmer.
Ylli i bluve frymëzoi edhe përmbysjen e madhe në minutën e 73-të, kur krosi i tij nga e djathta u devijua dhe u shndërrua në asist perfekt për Enzo Fernandez, që kaloi Chelsean në avantazh 3-2.
“Pokeri” u vulos nga Palmer, me një tjetër 11-metërsh, teksa reagimi i Tottenham me golin e tretë nga Son në të 96-ën nuk mjaftoi për të evituar humbjen.
Chelsea ngjitet në vendin e dytë me 31 pikë, duke përfituar edhe nga frenimi i Arsenalit në derbin tjetër të Londrës, përballë Fulham. Saliba iu përgjigj avantazhit të Jimenez, me ndeshjen që përfundoi në barazim1-1.
Derbi Everton-Liverpool u shty për shkak të kushteve atmosferike, e megjithatë Reds mbeten në krye të Premier League me 35 pikë, 4 më tepër se Chelsea. (A2 Televizion)