Roma dhe Fiorentina barazuan 1-1 në duelin direkt të zonës Champions dhe humbën terren nga një tjetër rivale si Bologna. Sfida në Olimpico u zhbllokua prej fillimit.
Pas pesë minutave lojë, Lukaku shndërroi në gol asistin e Dybala. Pikërisht, argjentinasi ishte i pari nga problemet e shumta të verdhekuqve, duke u larguar nga fusha i dëmtuar.
Pa Dybalan në fushë, Roma humbi cilësi dhe u mbyll në mbrojtje. Kjo i dha kurajë Fiorentinës, që nisi sulmet në kërkim të golit. Ndeshja u ndikua nga kartoni i kuq i Zalewski dhe Fiorentina konkretizoi superioritetin numerik, duke rikthyer barazpeshën.
Pas atij momenti, portieri Rui Patricio u shndërrua në hero, duke realizuar disa pritje vendimtare, teksa fundi i ndeshjes u komplikua edhe më tepër për Romën, pas kartonit të kuq të Lukakut. Me 9 lojtarë në 10 minutat e fundit të lojës, verdhekuqtë e Mourinho u kënaqën me një pikë, që i mban në vendin e katërt në renditje. (A2 Televizion)