Inter mori një fitore të rëndësishme në Serie A teksa mundi 1-0 Romën në Olimpico. Pas hapit fals të Napolit, zikaltërit bënë detyrën në kryeqytet duke siguruar tre pikë me shumë vlerë nga përballja me një rival direkt siç janë verdhekuqtë.
Që në fillim, interistët tentuan për të gjetur golin, dhe në minutën e 6 ishte Bonny që realizoi në portën e Svilar. Në anën tjetër vendasit u hodhën të gjithë në sulm për golin e barazimit.
Cristante kishte një mundësi të mirë me kokë, por italiani nuk kishte shënjestrën e duhur. Pjesa e dytë nisi njësoj si e para me Interin që u shfaq më i rrezikshëm para portës, por pa finalizim. Në anën tjetër Roma tentoi me Paolo Dybala apo Celik, por asnjë prej goditjeve nuk shkoi brenda në kuadrat. 7 minuta nga fundi Mkhitarian kishte mundësi të mbyllte ndeshjen, por gjuajtja e tij shkoi jashtë. Megjithatë festa në fund ishte e kaltër me Interin që barazon me 15 pikë Romën.
Më herët Napoli u ndal në Torino i Kristjan Asllanit dhe Ardian Ismajlit. Një gol i Simeone në pjesën e parë bëri që torinezët të shpërthenin festën. Edhe pse Napoli u hodh i gjithi në sulm për të gjetur golin, gjithçka dukej shumë e vështirë për kampionët në fuqi me vendasit që ishin kthyer në ''një mur'' të vërteta.
Polemika solli fundi i ndeshjes. Noa Lang realizoi në minutat shtesë por pas verifikimit dhe me sistemin Var, arbitri e anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Sa i përket dy futbollistëve të kombëtares shqiptare , Asllani luajti si titullar pëe 84 minuta dhe më pas u zëvendësua nga mbrojtësi Ardian Ismajli që u rikthye në fushë pas dëmtimit. Pas këtij suksesi, Torino shkon në kuotën e 8 pikëve ndërsa Napoli mbetet me 15 pikë. (A2 Televizion)