Jo vetëm Hakan Calhanoglu, por revolucioni në mesfushën e Interit mund të përfshijë edhe Kristian Asllanin. I ardhur nga Empoli në verën e vitit 2022 për rreth 15 milionë, “regjisori” i kombëtares shqiptare e ka pasur të vështirë të tregojë veten, duke vuajtur peshën e përgjegjësisë në një rol delikat si ai i zëvendësit të turkut.
Mesfushori kuqezi dëshiron të ketë më shumë hapësirë dhe largimi i tij nga Milano nuk duhet përjashtuar, me Zikaltërit që thuhet se janë të hapur për një lamtumirë të mundshme për Asllanin.
Pas sirenave italiane, në skenë për Asllanin ka dalë një ekip nga Spanja. Sipas të përditshmes iberike As, Betis Sevilla është veçanërisht e interesuar për të.
Bardhejeshilët kanë nevojë për një mesfushor për të zëvendësuar Johnny Cardoso, i cili është gati të bëhet lojtari i ri i Atletico Madrid.
Për momentin, megjithatë, ka një hendek midis ofertës dhe kërkesës. Interi e vlerëson lojtarin në 18-20 milionë euro, ndërsa spanjollët nuk do të donin të shpenzonin më shumë se 10 milionë. Jo vetëm kaq, pasi pavarësisht optimizmit të spanjollëve për suksesin e marrëveshjes, mesfushori nuk duket se është i hapur për destinacionin e Betis.
Asllani e ka pasur të vështirë të gjejë hapësirë në dy vitet e tij të para te Interi.
Shqiptari ka grumbulluar vetëm shtatë paraqitje si titullar në 29 paraqitje sezonale në sezonin 22/23, ndërsa në sezonin e Scudettos ai luajti gjithsej n9 ndeshje nga minuta e parë në 31 paraqitje.
Vitin e kaluar, gjithashtu për shkak të disa problemeve fizike të Calhanoglu, minutat e Asllanit u rritën ndjeshëm, me shqiptarin që arriti në 20 paraqitje si titullar në 39 paraqitje sezonale. (A2 Televizion)