Ka nisur zyrtarisht aventura e re e Milanit për sezonin 2025/2026. Në qendër të vëmendjes sot në “Casa Milan” ishin prezantimi i Massimiliano Allegrit si trajner i ri dhe Igli Tares si drejtor sportiv i ri i klubit kuqezi.
Në konferencën për shtyp, Tare ka vlerësuar maksimalisht trajnerin italian: “Falënderoj Allegrin dhe stafin e tij për këtë fillim të ri. Klubi ka besuar menjëherë tek ai, sepse pamë një figurë të rëndësishme që do të sjellë eksperiencë dhe një mentalitet fitues,” u shpreh Tare, shkruan A2 CNN.
Në fokus nuk mungoi as merkatoja. Drejtori sportiv kuqezi konfirmoi interesimin për talentin Jashari, që aktualisht është nën kontratë me Club Brugge: “Sa i përket merkatos, po punojmë për Jasharin. Ai vetë dëshiron të vijë te Milani, por për momentin duhet të respektojmë marrëdhëniet me Brugge. Kemi bërë një ofertë të madhe që pasqyron vlerën e lojtarit dhe të klubeve të përfshira. Shpresoj që kjo çështje të mbyllet në mënyrën më të mirë për Milanin dhe për vetë lojtarin,” tha Tare. (A2 Televizion)