Cristiano Ronaldo është kritikuar për mungesën e tij në ceremoninë mortore të Diogo Jotës dhe vëllait të tij, André Silva, të cilët humbën jetën tragjikisht pas një aksidenti me makinë në Spanjë.
Ceremonia e përbashkët u mbajt të shtunën në kishën Matriz de Gondomar, me pjesëmarrjen e figurave të njohura si Arne Slot, Jordan Henderson dhe Virgil van Dijk. Por mungesa e Ronaldos solli reagime të shumta, të cilave iu përgjigj motra e tij në rrjetet sociale.
Ajo tha se Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë për të mos tërhequr vëmendjen e mediave, duke kujtuar edhe përvojën e tyre personale gjatë vdekjes së babait të tyre.
“Kur vdiq babai ynë, përveç dhimbjes, u përballëm me shumë kamera dhe njerëz kureshtarë. Edhe atëherë, nuk mundëm të jetonim dhimbjen tonë në paqe”, tha ajo.
Më tej shtoi: “Është e turpshme që shoqëria merret me mungesën në një varrim, në vend që të respektojë dhimbjen e familjes. Kritikë për asgjë. Shoqëri e sëmurë.”
Ajo e mbylli reagimin e saj duke theksuar se çdo njeri meriton të jetojë dhimbjen në mënyrën e tij, larg gjykimeve publike.
REAGIMI I PLOTE:
“Kur më vdiq babai… përveç dhimbjes së humbjes, u desh të përballeshim me një lumë kamerash dhe njerëz kureshtarë në varreza dhe kudo që shkonim. Dhe atëherë vëmendja mediatike nuk ishte si sot… Në asnjë moment ne (fëmijët) nuk mundëm të dilnim nga kapela; vetëm në momentin e varrimit, sepse pati një trazirë të madhe.
Në funeral morën pjesë presidentë, trajnerë të kombëtares në atë kohë, si Luís Filipe Scolari, etj. Nuk i kujtoj fare. Edhe nëse më përshëndetën, nuk i pashë. Dhimbja më kishte verbuar. Për sa i përket dhimbjes, familjes dhe mbështetjes së vërtetë… Nuk e kupton dot kurrë se çfarë do të thotë kjo gjë, derisa ta përjetosh vetë. Nëse dikush më dërgon një mesazh për të kritikuar vëllanë tim për çfarëdo gjëje, do ta bllokoj menjëherë. Pra, do e bëjnë vetëm një herë.
Po bëhet e lodhshme. Fanatizëm. Kritikë për asgjë, po e përsëris, për asgjë… Shoqëri e sëmurë… Të gjithë kemi familje. Është jashtëzakonisht e turpshme të shohësh kanale televizive, komentatorë, rrjete sociale që më shumë merren me mungesën në një varrim sesa të nderojnë me respekt dhimbjen e një familjeje të shkatërruar nga humbja e dy vëllezërve. Më vjen turp. E trishtueshme.
Dhe kështu shkon bota… Shoqëria dhe opinioni. Sot s’kanë më vlerë. Janë kthyer në humnera të pakuptimta. Më vjen keq… Edhe lufta është kështu. Besomëni. E keqja njerëzore është një luftë gjithashtu. Dhe çdo ditë duhet të luftojmë kundër saj. Dhe jeta vazhdon”. (A2 Televizion)