Sot finalja e parakohshme Bayern-Real, Ancelotti kërkon të marrë hak për shkarkimin në Mynih

Nga A2 CNN
30 Prill 2024, 11:26 | Futboll

Sot finalja e parakohshme Bayern-Real, Ancelotti kërkon të marrë

Mbrëmjen e kësaj të marte, nisin emocionet e fazës gjysmëfinale të Champions League. Katër skuadrat e mbetura në garë, Bayern Mynchen, Real Madrid, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain premtojnë betejë për një vend në finalen e 1 qershorit.

Bayern-Real Madrid është një spektakël ende pa zbritur skuadrat në fushën e lojës. Edhe pse do të luhet gjysmëfinalja e parë e Champions, nga rezultati i duelit në Allianz Arena mund të krijohet një ide se cila prej skuadrave ka shanse të shkojë në finale.

Los Blancos të drejtuar nga Ancelotti janë të vendosur të provojnë fitimin e trofeut të 15-të si kampionë Europe. Fakti që shkurorëzuan Manchester City me penallti i jep shumë besim spanjollëve.

“Është emocion i veçantë të kthehem në Mynih. Kam kujtime të bukura, por edhe kujtimin e keq të shkarkimit. Gjithsesi duhet të mendojmë për të tashmen dhe jo për të kaluarën. Largimi i Benzema e ndryshoi situatën tonë në sulm, kemi më tepër lëvizshmëri dhe jemi të paparashikueshëm. Edhe Bajerni ka sulmues të mëdhenj, si për shembull Harri Kejn. Do të përballen dy skuadra me shumë histori dhe të mbushura me kampionë. Kemi gjetur ekuilibër në lojën tonë, jemi shfaqur solidë në mbrojtje pavarësisht problemeve që kemi pasur”, u shpreh Anceloti.

Në anën tjetër, edhe Bajerni është një skuadër eksperte e këtij kompeticioni. Për më tepër, bavarezët duken të rilindur me trajnerin Tuchel, që tashmë ka fituar besimin e skuadrës dhe simpatinë e tifozëve.

“Kjo ndeshje është si një finale. Synojmë të luajmë në finalen e Wemblit. Mposhtëm Arsenalin dhe kjo na dha besim. Të luash kundër Realit të Madridit është një hap tejet i rëndësishëm. Presim me padurim të zbresim në fushë, jemi të emocionuar që na pret një sfidë e tillë. Nuk mendojmë për asgjë tjetër, vetëm për këto 90 minuta. Ancelotti është një legjendë e trajningut, ai shfaq qetësi dhe eksperiencë. Jemi përgatitur mirë edhe pse koha ishte e kufizuar. Duhet të kemi disiplinë dhe të zgjidhim sa më mirë situatat e ndeshjes. Këta lojtarë mund t’ia dalin”, deklaroi Tuchel.

Ndeshja në Mynih do të jetë edhe përballja e dy bomberave: Harry Kane nga njëri krah dhe Vinicius në tjetrin. Nga rendimenti i tyre në fushë do të varet edhe rezultati i ndeshjes Bajern-Real. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos