
Trajneri i kuqezinjve komentoi edhe kundërshtarin e radhës, Poloninë, duke e vlerësuar si një ekip të fortë dhe të përmirësuar nën drejtimin e trajnerit Urban. I pyetur mbi një krahasim mes Polonisë dhe Serbisë, Sylvinho i konsideroi si ekipe mjaft të ndryshme, por gjeti pika të përbashkëta mes tyre si: nivelin e mbrojtjes, agresivitetin dhe shfrytëzimin e hapësirave për të sulmuar dhe shënuar.
“Të kthehesh te një ekip që kemi luajtur dy herë, brenda dhe jashtë, unë preferoj të flas për Poloninë, që është kundërshtari i radhës. Është diçka e ngjashme mes tyre dhe Serbisë, mbrohen mirë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Polonia është një ekip që shihet mirë në pesë ndeshjet e fundit. Mbrohet mirë, është agresive dhe shfrytëzon shumë hapësirat me shpejtësi, cilësi dhe gola. Të gjithë shënojnë, kanë 3-4 lojtarë që mbërrijnë në zonë e finalizojnë. Janë fizikisht të fortë, agresivë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Kanë diçka të ngjashme me Serbinë, por në përgjithësi janë të ndryshme. Poloninë e ka përmirësuar shumë ky trajner,” përfundoi Sylvinho.
Ai shtoi gjithashtu se kombëtarja shqiptare ka shumë cilësi dhe lojtarë të rinj me potencial, të cilët posedojnë shpejtësi dhe teknikë të mirë, duke theksuar krenarinë që është trajner i këtij ekipi.
“Sa i përket lojtarëve tanë, kemi shumë kënaqësi t’i shohim kur stërviten, kanë posedim topi të mirë, janë shumë të shpejtë. Ndonjëherë Bulku, Zabaleta, Doriva dhe unë jemi në thonjëza pak xhelozë për këta lojtarë të rinj se çfarë cilësish kanë dhe atë që mund të bëjnë në fushë. Jam i lumtur që jam trajneri i kësaj kombëtareje që mund të bëjë shumë mirë”. (A2 Televizion)