Dështimi në respektimin e kontratave vjen me masa ndëshkuese, ku më e ashpra lidhet me bllokimin e merkatos. Ky është realiteti i ri, me të cilin po përballen klubet shqiptare. Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu janë tre skuadrat të cilave “u ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj për tri periudha të merkatos”.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës, pasi ato “dështuan në ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve”.
Me pak fjalë, tri klubet nuk kanë shlyer pagasat që i detyrohen ish-lojtarëve apo ish-zyrtarëve. Në total, afati i bllokimit shkon në një vit e gjysmë kalendarik. Ai nis në merkaton e dimrit në janar 2024, merkaton e verës në qershor 2024 dhe vijon me merkaton e dimrit në janar 2025.
Blerjet e reja të Tiranës bllokohen për shkak të pagesave të pashlyera ndaj dy ish-mesfushorëve Asion Daja dhe Edon Hasani. Dinamo nuk ka paguar detyrimet për ish-drejtorin sportiv, Arbi Laçi, teksa Skënderbeu ka detyrime të prapambetura ndaj ish-futbollistit Dejvi Bregu.
Dënime për pagesat e munguara apo shlyerjen e detyrimeve pas gjyqeve të humbura janë një praktikë e zakonshme në botë, por deri më tani, ndaj klubeve të Superiores nuk ishte marrë asnjë masë direkte nga organet e Federatës së Futbollit. Kjo është hera e parë në histori që merkato bllokohet nga Disiplina e FSHF. Dënimet e mëparshme ishin praktikuar vetëm pas shprehjes së FIFA-s, për dështim në shlyerjen e detyrimeve. (A2 Televizion)