Seria A, Juventus ndaj Veronës për kreun e renditjes

Nga Erald Kodhelaj
28 Tetor 2023, 14:32 | Futboll

Seria A, Juventus ndaj Veronës për kreun e renditjes

Një mbrëmje për t'u rikthyer në krye të renditjes, për të kujtuar një ndjesi që mungon prej shumë kohësh. Juventusi i Allegrit pret në shtëpi Veronën, skuadër e cila nuk fiton prej afro dy muajve.

Synimi i bardhezinjve është i qartë: fitore për të kaluar Milanin dhe Interin në renditje, që të paktën për një ditë të shijojnë kryesimin në Serie A. Ky është një shans i madh, i cili duhet shfrytëzuar maksimalisht.

Juventusi ka edhe avantazhin që Dusan Vlahovic rikthehet në formacionin titullar, pas atyre pak minutave si zëvendësues në sfidën me Milanin, në San Siro. Sulmuesi nuk shënon prej mesit të shtatorit përballë Lazios dhe do të kërkojë të hedhë pas shpine momentin e vështirë.

Përkrah tij, në fushë mund të jetë Enrico Chiesa, megjithatë gjendja e yllit italian mbetet për t'u vlerësuar. Nëse Allegri do të vendosë të mos e rrezikojë prej fillimit, hapësirë do të ketë sërish Kean, që ka treguar se është i gatshëm të sakrifikohet për të mirën e ekipit.

Te Juventusi preferojnë të mos shohin shumë përpara rreth shanseve për të luftuar për titullin kampion. Me të drejtë, në momentin ku ndodhen kërkojnë tri pikët e plota. Më pas, bardhezinjtë do të ndjekin nga televizori edhe sfidat e Interit me Romën dhe Napolit me Milanin. Ky është një shans i artë, jo vetëm për të kapur kreun, por ndoshta edhe për ta mbajtur, nëse rivalët direktë bëjnë hapa fals. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos