Një fitore spektakolare në ndeshjen e fundit në grup. Shqipëria në basketbollin për meshkuj mundi 67-78 Austrinë në takimin e vlefshëm për parakualifikueset e Botërorit 2027.
Pjesa e parë nisi me një ritëm të lartë nga kuqezinjë, shkruan A2. Perioda e parë u mbyll 16-19 në favor të kuqezinjve, ndërsa e dyta nisi dhe më mirë me 4 trepikësha rresht që thelluan dhe avantazhin e kuqezinjve në 11 pikë.
Austriakët u zgjuan në fundin e periodës së dytë dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 31-34 .
Në pjesën e mbetur, vendasit shtuan presionin, por Shqipëria nuk iu tremb dhe mbeti përpara. Në periodën e katërt, austriakët rihapën lojën me disa trepikësha radhazi, megjithatë asgjë për t’u shqetësuar nga kuqezinjtë që menaxhuan mirë lojën dhe në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 67-78.
Basketbollisti që spikati në fund ishte Eldi Hysaj që realizoi 20 pikë. Një fitore morali për kuqezinjtë që treguan karakter dhe forcë përballë 1500 tifozëve në Vjenë. Rrugëtimi i tyre përfundon këtu pasi mbeten në vendin e fundit në grupin për parakualifikueset e Botërorit 2027, ndërsa Austria e kishte siguruar kalimin më tej që një ndeshje më parë.
(A2 Televizion)