Boksieri nga Lezha, Jurgen Uldedaj, është shpallur kampion bote në peshën “cruiserweight” (deri në 90 kg), pas një paraqitjeje madhështore në “O2 Arena” të Londrës, shkruan A2 CNN.
Uldedaj arriti të triumfojë ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum, në një përballje të fortë e të luftuar deri në fund, duke fituar me vendim unanim të gjyqtarëve (120-108, 118-110, 119-109). Me këtë sukses, ai rrëmbeu titullin botëror të federatës IBO, duke ngjitur emrin e tij mes më të mirëve të këtij sporti.
Dueli nisi me intensitet të lartë, ku boksieri kuqezi tregoi qartë synimin për të dominuar. Me stil agresiv dhe teknikë të saktë, Uldedaj ndërtoi avantazhin që në raundet e para, duke detyruar kundërshtarin të mbrohej vazhdimisht.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, 28-vjeçari ruajti qetësinë dhe kontrollin e situatës, duke menaxhuar me maturi çdo përpjekje të kamerunasit për t’u rikthyer në lojë. Në fund, gjyqtarët nuk patën asnjë dilemë: fitore e pastër për Uldedajn.
Me grushtat drejt qiellit dhe flamurin kuqezi në duar, Jurgen Uldedaj festoi triumfin historik në mes të Londrës, duke bërë krenarë shqiptarët kudo ndodhen.
IBO është një organizatë e pavarur, që nuk njihet nga katër organizatat e mëdha drejtuese në boks (WBA, WBC, IBF dhe WBO), të cilat njohin vetëm njëra-tjetrën në renditjet dhe rregullat e unifikimit të titujve.
Megjithatë, që nga viti 2023, titujt e IBO-së janë unifikuar me titujt e organizatave të tjera në disa kategori peshash. (A2 Televizion)
