
Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se nga fillimi i vitit 2026 do të jetë gati për qytetarët mjeti i Identifikimit Digjital, në Podcastin e sotëm “Flasim”, kreu i qeverisë tha se po përgatitet edhe një tjetër inovacion, porta digjitale e hyrjes në aeroportin e Rinasit.
“Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza” pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën dhe me të dhënat e tua.
Kështu, aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura”, u shpreh Rama.
Duke folur për portofolin e identitetit digjital, që pritet të zbatohet në vendin tonë nga janari 2026, dhe do të përfshijë të gjithë dokumentet personale si karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma apo certifikata të ndryshme, Rama tha se edhe Shqiëpria është një vit para BE-së në ëktë drejtim
“Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira dhe më të lira se të mëparshmet. Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital, pra kalimin e kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional.
Edhe Bashkimi Europian po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të Europës. Shqiptarët do ta kenë gati identitetin e tyre digjital në fillim të vitit 2026”.
(A2 Televizion)
