Legjenda e atletikës, Usain Bolt, ka deklaruar se jeta e qetë në Xhamajkë i ka lënë gjurmë në formën fizike. Gjatë një interviste në Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio, 39-vjeçari tha se prej kohësh nuk vrapon më dhe shpesh i merret fryma kur ngjitet nëpër shkallë. “Nuk jam fans i vrapit, por mendoj se tani duhet të filloj pak, sepse kur ngjis shkallët, më merret fryma”, tha Bolt, duke qeshur, përcjell A2 CNN.
Bolt, i cili prej vitit 2017 ka lënë atletikën, e përshkruan rutinën e tij si të thjeshtë: dërgon fëmijët në shkollë, ndonjëherë bën palestër ose shikon seriale, ndërsa pasdite kalon kohë me fëmijët, Olympia Lightning, dhe binjakët Thunder e Saint Leo. “Kur fillojnë të më bezdisin, thjesht largohem”, shtoi ai duke qeshur.
16 years ago today, Usain Bolt ???????? shattered the 100m World Record with an unbelievable 9.58s in Berlin.
— Track & Field Gazette (@TrackGazette) August 16, 2025
Still the fastest time ever recorded by any man! pic.twitter.com/eEvkYR1SGc
Edhe pse ka marrë pjesë rrallë në evente të mëdha pas pandemisë dhe një dëmtimi në tendinin e Akilit, rikthimi në Tokio i kujtoi atij peshën e trashëgimisë së vet. Rekordet e tij botërore, 9,58 sekonda në 100 m dhe 19,19 sekonda në 200 m, mbeten të paprekura prej 16 vitesh. Një studim i fundit sugjeron se me atlete moderne Bolt do të kishte vrapuar 9,42 sekonda. “Është e thjeshtë: ne ishim më të talentuar”, u shpreh ai për diferencën me sprinterët e rinj.
I kujdesshëm për të mbajtur gjallë lidhjen me publikun, Bolt tregoi se karizma e tij në pistë vinte nga spontaniteti. Ai kujtoi momentet e Londrës 2012, kur insistoi të mbante shkopin e stafetës pas rekordit botëror, suvenirin e vetëm që ruan nga karriera. Rekordmeni premtoi se do t’u tregojë fëmijëve vendet që i ndryshuan jetën, si Pekini 2008, ku fitoi famën globale. “Do t’i çoj në stadiumin ‘Foleja e Zogut’ në 2027, për t’ua treguar historinë time”, tha ai. (A2 Televizion)