
Një lajm i papritur ka tronditur botën e MotoGP. Piloti spanjoll Marc Márquez ka njoftuar tërheqjen në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një prej karrierave më të jashtëzakonshme në historinë e këtij sporti.
Njoftimin emocionues Márquez e bëri përpara provave të lira të garës së fundit të sezonit 2026, përmes disa tabelave që mbante në duar, teksa nuk e fshehu emocionin.
“Faleminderit të gjithëve që keni qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Shpresoj të jeni kënaqur po aq sa unë. Kjo do të jetë gara ime e fundit në MotoGP. Kemi bërë histori”, ishte mesazhi i pilotit spanjoll, shkruan A2.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi 33-vjeçari Márquez arriti një tjetër sukses madhështor, duke fituar titullin e dhjetë në karrierën e tij dhe duke barazuar rekordin e Giacomo Agostinit.
Pas një karriere të mbushur me tituj, rekorde dhe momente historike, Márquez duket se ka vendosur t'i japë fund aventurës së tij në MotoGP në kulmin e suksesit.
Largimi i tij shënon fundin e një epoke për kampionatin botëror të motoçiklizmit, i cili humbet një nga pilotët dhe personazhet më të rëndësishëm të historisë së tij.
(A2 Televizion)