Akademia e Futbollit Dyrrah City zhvilloi të tjera seleksionime për të zgjedhur disa nga lojtarët e vegjël më të mirë në vendin tonë, që mund të kenë një të ardhme në sportin aq të pëlqyer të futbollit.
Gjatë 3 ditësh seanca impenjuese për të zgjuar krijueshmërinë dhe teknikën në fushë, trajnerët e njohur vendas, por edhe të City, kaluan "në sitë" shumë të rinj premtues nga mosha 7 deri në ekipet e të rinjve. Shumë prej tyre kishin mundësinë të përfitonin regjistrim pa pagese ose me ulje në DCFA, dhe në shkollën e futbollit.
Akademia e Futbollit të Dyrrah City do të fillojë aktivitetin në daten 2 shtator dhe pjesë e saj janë bërë tashme dhe trajnerët nga Manchester City për zhvillimin e shkollës së futbollit. Teknikët e huaj të "Citizens" do të zhvendosen dhe do të banojnë në qytetin e Durrësit.
"Përshëndetje, unë jam Ben Graham, kryetrajneri i Shkollës së Futbollit këtu në Akademinë e Futbollit Dyrrah City. Jam i entuziazmuar për sezonin që kemi përpara, ku do të ofrojmë shumë seanca argëtuese dhe emocionuese për të gjithë fëmijët", tha Graham.
Përkohësisht, akademia do ta zhvillojë aktivitetin e saj në Olimpic Park në Durrës derisa të bëhet gati kampusi sportiv. (A2 Televizion)