Sahit Prizreni, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, deklaroi në A2 CNN se “deri dje jemi krenuar me sportistë shqiptarë që kanë garuar për një komb tjetër”, ndërsa sot “duhet të jemi mirënjohës” për sportistët që sjellin medalje për vendin tonë.
“Vetë kam marrë pjesë në 3 olimpiada, por fatkeqësisht nuk ia arrita të sjell një medalje, që e kam pasur ëndërr. Kam pasur bindje që do të merrnim medalje në këtë olimpiadë, duke parë cilësitë e djemve, duke u nisur nga Kampionati Evropian ku Islam Dudaev u shpall kampion Evrope; Abakharov është i treti në botë, por edhe pse nuk mori medalje vetë, ishte i pari që ka gëzuar me ne. Këto lojëra ishin fantastike, janë dy medalje me shije ari për Shqipërinë”, tha Prizreni.
“Për mua, Chermeni është kampion olimpik, pasi iu bë padrejtësi e madhe nga gjyqtarët. Janë gjëra që ndodhin në sport, fatkeqësi e jona. Por, mendoj se medalja e artë do të vijë në të ardhmen. Ne kemi apeluar dhe shpresojmë në një përgjigje pozitive, megjithëse në mundje është shumë i vështirë ndryshimi i rezultatit”, shtoi kreu i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Sipas Prizrenit, “kemi një ligj fantastik për sportin”.
“Përveç vlerësimit për arritjet e tyre, sot kanë një arsye më shumë për të sjellë medalje, që ka të bëjë me gradat honorifike. Unë kam kërkuar që këto grada t’i jepen sa më shpejt djemve tanë. Nuk është e mjaftueshme vetëm ajo që është bërë, në mënyrë që ta ruajmë këtë nivel. Ne deri dje jemi krenuar me sportistë shqiptarë që kanë garuar për një komb tjetër. Unë i bëj thirrje të gjithë atyre që e duan flamurin, që djemtë tanë meritojnë mirënjohje dhe vlerësim. Ne sportistët kemi karrierë të shkurtër dhe djemtë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për ëndrrën e tyre, që ishte edhe ëndrra jonë. Nuk ka asgjë të keqe që të afrojmë cilësi dhe shembuj për rininë”, theksoi Sahit Prizreni.
(A2 Televizion)