Më shumë se 70 notarë dhe ish-notarë kanë garuar mëngjesin e të shtunës në ujërat e liqenit të Ohrit në maratonën "Agron Ruvina" në Pogradec. Nga mosha 14 deri në 25 vjeç, ata kanë notuar në një distancë prej 500 metrash në kategorinë e notarëve profesionistë ndërkohë që gara më emocionuese ka qenë ajo e veteranëve, pjesa më e madhe e të cilëve kanë notuar me ish-notarin rekordmen pogradecar.
Andi Kongli dhe Enkelejda Tupa janë dy fituesit e kategorisë për veteranë të cilët shprehen se për të rikthyer në nivele të larta notin në Shqipëri kërkohet vëmendje dhe investim.
“Ishte një garë shumë e mirë. Shpresoj që kjo garë të kthehet në traditë për qytetin e Pogradecit, sepse e meriton që Pogradeci të ketë një garë të vërtetë dhe të përmirësohet nga hera në herë.”
“Noti është nga ato sporte që hyn te sportet e shtrenjta dhe duhet financë nga ana e prindërve për të stimuluar fëmijët por duhen edhe pak investime nga ana e shtetit por edhe nga ana e vetë privatëve për të ndërtuar pishina dimërore.”
Noli Ruvina është vëllai i ish notarit të njohur Agron Ruvina, i cili thotë se Pogradeci do e rikthejë edhe njëherë traditën e notimit.
“Janë akoma shumë të vegjël dhe po japin rezultate shumë të mira. Besoj se noti në Pogradec nuk do të humbasë, sepse jemi të lindur e të rritur në liqen.”
Gara e maratonës është ndjekur me mjaft interes nga pushues të shumtë pogradecare por e të ardhur nga qytete të tjera. (A2 Televizion)