Volejboll/ “Tërmet” te Tirana, Partizani “rrëmben” vëllezërit Martiro

Nga A2 CNN
14 Gusht 2024, 14:54 | Sporte të tjera

Volejboll/ “Tërmet” te Tirana, Partizani

Ndërsa volejbolli përgatitet për sezonin e ri sportiv, i cili këtë vit do të vijë më herët, lajmi më i bujshëm vjen nga merkatoja e meshkujve.

Dy nga volejbollistët më të rëndësishëm të ekipit të Tiranës, dy vëllezërit, kapiteni Ledion Martiro dhe Krist Martiro, nuk do të jenë më pjesë e bardhebluve. Ata largohen pas 6 sezonesh ku shkruan historinë duke fituar plot 10 trofe, mes të cilëve 2 tituj kampionë që mungonin prej 28 vjetësh te Tirana.

Si Ledion, ashtu edhe Krist Martiro do të vihen përsëri nën urdhrat e trajnerit Ylli Tomorri, me të cilin kanë luajtur te Studenti për disa vite, ashtu dhe te Partizani prej vitit 2016 deri në vitin 2018, duke fituar tituj të rëndësishëm edhe atje. Kujtojmë që Tirana dhe Partizani ishin skuadrat që luftuan për titullin sezonin që lamë pas, me të kuqtë që u shpallën kampionë pas një beteje me 5 finale.

Largimi i vëllezërve Martiro nga kryeqytetasit mësohet se lidhet me situatën e paqartë financiare në të cilën ndodhet klubi bardheblu dhe mungesën e një vizioni të  qartë për të ardhmen. Gjendur në këto kushte, burime për A2 CNN tregojnë se nga klubi i Tiranës mund të ketë edhe largime të tjera të emrave të rëndësishëm nga skuadrat e lojërave me dorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos