Paratë për ushtarët dhe vullnetarët, një medalje e artë për të financuar luftën në Ukrainë

Nga Erald Kodhelaj
6 Gusht 2024, 14:16 | Sporte të tjera

Një medalje e artë për të mbështetur rezistencën ukrainase në luftën kundër Rusisë. Kampionia olimpike, Jaroslava Mahuçik njoftoi se një pjesë të të ardhurave nga medalja e artë e fituar në Paris 2024 do t’i dhurojë për ushtrinë ukrainase dhe vullnetarët. Mahuçik u shpall kampione olimpike në kërcim së larti, me një paraqitje mbresëlënëse në impiantin Stade de France.

“Jam shumë e lumtur. Tani po e kuptoj që jam kampione olimpike. Ishte e vështirë, mbi të gjitha sepse ky rezultat vjen në një moment shumë të vështirë, e megjithatë ia dola. Ishte medalja e vetme që më mungonte dhe e fitova. Një pjesë të përfitimeve nga e arta në Paris do t’i ndaj me ekipin tim, sepse punojmë së bashku për këto rezultate. Një pjesë të parave të shpërblimit do t’ia kaloj forcave të armatosura të Ukrainës dhe vullnetarëve, sepse në këto momente është shumë e vështirë të grumbullosh të ardhura”, tha Yaroslava Mahuchikh, kampione olimpike në kërcim së larti.

Mahuçik u detyrua të largohej nga shtëpia në Dnipro në vitin 2022 pas pushtimit rus në Ukrainë. Gjithsesi ajo vijoi konkurrimin në sport dhe fitoi medaljen e artë olimpike, vetëm pak javë pasi me kërcimin 2 metër e 10 centimetër theu rekordin botëror që ishte në fuqi prej vitit 1987.

Nikola Oljslagers nga Australia fitoi medaljen e argjendit, ndërsa ukrainasja Irina Gerashçenko dhe australiania Eleanor Paterson ndanë medaljen e bronzit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos