Shpërblimet për medalje, Shqipëria, bronzi në Olimpiadë vlen 55 mijë dollarë

Nga A2 CNN
12 Gusht 2024, 17:43 | Sporte të tjera

Shpërblimet për medalje, Shqipëria, bronzi në Olimpiadë
Islam Dudaev dhe Çermen Valiev do të përfitojnë nga 55 mijë dollarë secili për medaljet e bronzit të fituara në Lojërat Olimpike. Ky është shpërblimi që parashikon ligji shqiptar për arritjet e larta sportive.

Sipas ligjit për sportin, ku çdo rezultat i lartë në arenën ndërkombëtare shpërblehet në mënyrë të përshtatshme financiare, medalja e artë në Olimpiadë shoqërohet me bonusin prej 10 milionë lekësh të rinj, ose rreth 110 mijë dollarë.

Medalja e argjendit me 7 milionë lekë të rinj, ndërsa medalja e bronzit me 5 milionë lekë të rinj shpërblim, e thënë ndryshe rreth 55 mijë dollarë.

Vlerat financiare janë të ngjashme edhe në Kosovë, ku medalja e artë olimpike shpërblehet me mbi 107 mijë dollarë amerikanë, ndërsa nga shtetet e rajonit, Serbia paguan më tepër me afro 215 mijë dollarë. Italia i shpërblen kampionët olimpikë mbi 193 mijë dollarë, Greqia rreth 97 mijë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ari i fituar nga sportistët shpërblehet me 37,500 dollarë, ndërsa Franca organizatore paguante 86 mijë. Shpërblime të ulëta nga Kanadaja, Danimarka dhe Australia, me çmimet që variojnë nga 13 deri në 14 mijë dollarë.

Vendi që paguante më tepër për medaljet e arta ishte Hong Kongu me 768 mijë dollarë. Në vendin e dytë ndiqte Singapori me 745 mijë dollarë, ndërsa Tajvani ishte i treti me 600 mijë dollarë, plus rrogë e përjetshme me 4 mijë dollarë në muaj. Indonezia ndjek me 300 mijë dollarë, ndërsa vendet që paguajnë shpërblimet më të larta plotësohen nga Izraeli me 271 mijë dollarë dhe Kazakistani me 250 mijë.

Në Poloni medalistët shpërblehen me diamante dhe shtëpi në Varshavë, ndërsa ka disa vende, mes tyre edhe Britania e Madhe dhe Norvegjia që nuk japin asnjë shpërblim për sportistët elitarë.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos