Velipoja mirëpret kampionatin e parë të futbollit në plazh në Shqipëri

Nga A2 CNN
26 Gusht 2024, 14:48 | Sporte të tjera

Për herë të parë ne Velipojë u zhvillua kampionati i futbollit në plazh. Në bashkëpunimin e Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të futbollit, për tre ditë më radhë, aktiviteti bëri bashkë sportistë  nga e gjithë Shqipëria dhe në fund fitues i edicionit të parë u shpall skuadra Velipoja.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka thotë për A2 CNN se ky aktivitet i arriti të gjitha pritshmëritë, ndwrsa pjesëmarrësit shprehen se ky aktivitet duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Për herë të parë në Shqipëri organizohet beach soccer dhe ku ka më bukur se sa të realizohet në Velipojë, me 8 ekipe dhe 118 futbollistë nga e gjithë Shqipëria. Objektivi është që aktiviteti të kthehet në të përvitshëm. Do të krijohet edhe ekipi kombëtar i beach soccer”, tha ai.

Velipoja u shpall skuadra kampione e këtij edicioni, pasi triumfoi nga penalltitë ndaj skuadrës së Lion. Një finale shumë e bukur dhe me emocion që prodhoi gjashtë gola, teksa koha e rregullt përfundoi në barazim 3-3. Më pas nga penalltitë triumfoi skuadra e Velipojës me rezultatin 3-1. Ekipi i Velipojës fitoi trofeun e “Beach Soccer ”, si dhe premion e përcaktuar prej 1000 Euro./A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos