
Komediani amerikan, Steve Harvey, i la të gjithë pa fjalë me ndryshimin rrënjësor të stilit të tij. Ai rrëfeu se gjithçka nisi në një ditë të zakonshme, kur vuri re se dollapit të tij i mungonin ngjyrat dhe guximi.
Pas atij çasti, Steve Harvey u kthye në një ikonë mode duke kaluar nga kostumet e zakonshme në ngjyrë të errët te pantallonat prej lëkure dhe kostumet e ngushta në ngjyra të ndezura. 65-vjeçari mahniti kështu jo vetëm moshatarët e tij, por dhe të rinjtë, të cilëve iu mungonte stili apo guximi i Harvey.
Por çfarë raporti kanë meshkujt me modën? Dikur mbizotëronte ideja se, një burrë do të blinte të njëjtën bluzë, në çdo ngjyrë dhe rrallë do të ndryshonte veshjet e tij, megjithatë në ditët e sotme ne shohim gjithnjë e më shumë raste të burrave që eksperimentojnë.
Kjo tendencë është ndjerë vitet e fundit edhe në Shqipëri, teksa aktorë të ndryshëm të tregut raportojnë për një rritje të blerjeve nga meshkujt, sidomos për mallra më të shtrenjtë.
Sipas një studimi të “Euromonitor”, të kryer në vitin 2020, burrat shqiptarë preferojnë artikujt e luksit, kryesisht orët dhe veshjet e shtrenjta. Ata janë bërë shumë më të vetëdijshëm për atë që blejnë kur bëhet fjalë për modën, megjithatë mbeten besnikë të një stili të thjeshtë dhe formal, me zgjedhje të shpejta dhe brenda kornizave.
Pavarësisht kësaj, me evolimin e kohës, globalizmin dhe zhvillimin e teknologjisë, shohim edhe raste të burrave që eksperimentojnë dhe kanë një stil që konsiderohet disi më i guximshëm, e që jo rrallëherë paragjykohet nga opinioni publik. (A2 Televizion)