
Pranimi i strehimit të afganëve në Shqipëri iu shpërblye me një çmim dhe shumë mirënjohje kryeministrit Rama, teksa u vlerësua personalisht në SHBA nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton me çmimin “Vital Voices Global”.
“Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e kryesisht, grave në nevojë dhe falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri. Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte. Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik, duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra”, u shpreh Clinton.
Si rrallë herë, vlerësimit kryeministri iu përgjigj me modesti, ndërsa publikut amerikan i tregoi për mikpritjen shqiptare.
“Paragrafi kyç i kushtetutës sonë të parë thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Nënvizoj, fjala “mik” në atë paragraf nuk nënkupton vetëm atë që fton, por edhe të që të troket e shfaqet në derë i paftuar dhe ajo trokitje është detyrimi që ke ndaj Zotit për ta hapur derën e për t'iu gjendur atij që troket”, tha kryeministri Rama.
Për qeverisjen me gratë Rama shpjegoi se ishte frymëzuar nga ish-kryeministrja angleze Margaret Thetçer.
“E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj. Ndoshta sepse ishte vetë aty sa për çdo grua tjetër, por mua nuk më dilte hesapi ashtu, kështu që m’u desh të zgjidhja shumë gra për të bërë punën dhe jo sepse jam i veçantë”, shtoi kreu i qeverisë.
Duke falenderuar Clinton për çmimin, Rama i kujtoi publikut amerikan kontributin e madh që familja e ish-presidentit ka në luftën e Kosovës dhe jo vetëm. (A2 Televizion)