Ora 16:00 Studentët mbajnë të bllokuar prej gati një orë rrethrrotullimin e Zogut të Zi, edhe pse thanë fillimisht që bllokimi do të ishte simbolik dhe do të zgjaste vetëm disa minuta.
Disa prej tyre madje thonë se do të qëndrojnë edhe më gjatë në këtë pikë hyrëse tepër të rëndësishme të kryeqytetit, ku janë shkaktuar radhë të gjata të makinave.
Ora 14:59 - Pasi protestuan para Kryeministrisë që prej orës 11:00 së bashku me qytetarët e bashkuar ditën e sotme në protestë, studentët bllokuan qarkullimin te “Zogu i Zi”.
Ora 13:40 - Përfshirja e qytetarëve të tjerë në protestën e studentëve ditën e sotme e ka rritur numrin e protestuesve, por në anën tjetër ka sjellë edhe tension mes tyre.
Kështu ka ndodhur në një episod pak më parë, kur një qytetar është përplasur me një prej studentëve, i cili është shprehur se ishin duke i prishur protestën.
***
Pas 12 ditësh rezistencë dhe refuzim të çdo ftese për dialog, studentët u organizuan ditën e sotme për një tjetër lëvizje në përmasa edhe më të mëdha, të cilës iu bashkuan edhe qytetarët.
Këshillat studentorë gjatë fundjave njoftuan se të hënën protesta do të jetë kombëtare. Ata u bënë thirrje që nismës t’u bashkohen pedagogë, prindër, qytetarë dhe nxënës të shkollave të mesme.
Rreth orës 11:30, studentët dhe qytetarët u mblodhën përballë Kryeministrisë. Studentët këmbëngulin se nuk pranojnë dialog me qeverinë pa u zgjidhur 8 pikat e tyre, ndërsa bëjnë thirrje që politika të rrijë larg protestës. Ata gjithashtu janë shprehur për A2 se do të bojkotojnë edhe sezonin e provimeve në muajin janar.
Nga protesta u hodhën edhe flakadanë, por studentët janë shprehur se kjo ka ndodhur nga qytetarët dhe kanë kërkuar që të mos vazhdojë pasi në të kundërt do i nxjerrin nga protesta.
Sipas agjendës së publikuar në rrjetet sociale, tubimi do të vijojë deri në orën 14:30. (A2 Televizion)