Ora 19:00 - Një pjesë e studentëve janë shprehur se do të qëndrojnë deri në mesnatë para Kryeministrisë, por të tjerë thonë se marshimin e tyre duhet ta nisin ditën e nesërme nga fakultetet dhe më pas të ndalen përballë godinës së Kryeministrisë.
Ora 18:42 – Kryeministri Rama reagoi me anë të një postimi në “Twitter” në lidhje me ecurinë e protestës së studentëve, duke u drejtuar atyre me një pyetje, se kush i përçau tani? Rama thotë se ai do të jetë në anën e studentëve dhe jo me “maskat e LSI dhe PD”.
Kryeministri e përsërit edhe njëherë tjetër dialogun, duke thënë se “jo ato pikat, po shumë më tepër se aq do bëjmë së bashku. Me të nisur Dialogun”.
Ora 18:35 - Studentët mbërrijnë te Kryeministria, godina rrethohet nga policët
Një grup i studentëve ka mbërritur rreth orës 18:30 minuta pranë Kryeministrisë, ndërsa godina është e rrethuar me forca të shumta policore, nga ku mësohet se ndodhen rreth 200 efektivë.
Ndërkohë, një tjetër grupim ka bllokuar qarkullimin e automjeteve te “Zogu i Zi”, e pjesa më e madhe vazhdon të qëndrojë te Ministria e Arsimit.
Ora 18:00 - Protesta e studentëve vazhdon ende por tashmë ata janë ndarë në tre grupe. Një pjesë e tyre vazhdon të qëndrojë te Ministria e Arsimit, një grup tjetër është zhvendosur për te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ndërsa një grup tjetër është nisur drejt Kryeministrisë.
Studentët pranojnë se mes tyre ka edhe pjesëtarë të formacioneve politike të të dy kampeve, por ata janë të vendosur që të vazhdojnë qëndresën e tyre dhe të përshkallëzojnë protestën, pasi afati që ata kishin vendosur për plotësimin e kërkesave të tyre – ora 16:00 – tashmë ka kaluar.
Ora 17:00 - Studentët: Nuk na drejton askush, vendosim vetë
Kur një pjesë e studentëve është zhvendosur te “Zogu i Zi” duke bllokuar qarkullim, grupi më i madh i tyre vazhdon të qëndrojë pranë Ministrisë së Arsimit. Një prej studentëve shprehet se nuk marrin urdhra nga askush. Dhe gjithçka e vendosin vetë. “Ne do të qëndrojmë këtu deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. Një pjesë ka shkuar të bllokojë qarkullimin te “Zogu i Zi””, shprehet ai.
Ora 16:42 – Tifozët Kuq e Zi i bashkohen protestës së studentëve te Ministria e Arsimit. Më herët, ata kishin shprehur mbështetjen e tyre për kauzën e studentëve.
Ora 16:39 - Një grup i studentëve është nisur drejt rrethrrotullimit të “Zogut të Zi” për të bllokuar qarkullimin e automjeteve, pasi nuk morën përgjigje pas skadimit të afatit që ishte ora 16:00 e ditës së sotme.
Ora 16:27 - Protestë edhe në Shkodër, përplasje me policinë dhe drejtuesit e mjeteve
Sërish pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës qytetarët dolën në protestë, por nëndryshim nga një ditë më parë situata është tensionuar.
Protestuesit bllokuan rrugën në mënyrë të befasishme dhe kjo ka sjellë përplasje të tyre medrejtuesit e automjeteve. Protestuesit u bënë thirrje që të bashkohen nëprotestën e tyre, por kjo gjë nuk u pranua madje pati edhe konfrontime.
Mësohet gjithashtu se protestuesit kanë pasur debat edhe me drejtuesit e policisë qëishin vendosur pranë protestës.
Ora 16:20 –200 efektivë policie pranë Kryeministrisë
Studentët njoftuan se do të zhvendoseshin përballë Kryeministrisë pas skadimit të afatit që ishte ora 16:00 dhe kjo bëri që policia të marra masa për të siguruar godinën e Kryeministrisë. A2 News mëson se rreth 200 efektivë janë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës janë vendosur pranë Kryeministrisë.
Ora 16:00 - Skadon afati i vendosur nga studentët, godasin me vezë godinën e ministrisë
Ka skaduar afati i vendosur nga studentët për plotësimin e 8 kërkesave të tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, pa marrë një përgjigje.
Sapo ka shkuar ora 16:00, studentët kanë nisur të godasin me vezë dhe me sende të tjera goditën e Ministrisë së Arsimit.
Ndërsa tashmë, ata duken të dyzuar për të shkuar përballë Kryeministrisë apo për të qëndruar te Ministria e Arsimit. Një pjesë kërkojnë të shkojë drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesa tjetër kërkojnë të qëndrojnë pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, pasi shprehen se është pikërisht ky institucioni, i cili duhet të përmbushë kërkesat e tyre.
Ora 14:45 - Studentët nga të gjitha universitet e vendit janë bashkuar në një protestë me përmasa të jashtëzakonshme gjatë ditës së martë, duke e amplifikuar edhe më shumë zërin e tyre. Ashtu si çdo ditë nga të gjitha fakultetet e vendit, studentët kanë lënë auditorët dhe në një marshim paqësor kanë lëvizur drejt Ministrisë së Arsimit, si qendra e protestës së tyre.
Ndërkohë, Grupimi i tifozëve të kombëtares shqiptare të futbollit, “Tifozat Kuq e Zi” ka paralajmëruar përmes një postiminë Facebook se në orën 16:00 do t’i bashkohet protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit.
“Bashkohemi edhe fizikisht me studentëtprotestues ne mbështetje të kërkesave të tyre. Bashkohu edhe ti!”, është thirrja e tyre.
Ora 16:00 është edhe afati që ata i kanë dhënë Kryeministrit Edi Rama për të plotësuar kërkesat e tyre, ndërkohë që një pjesë kanë konfirmuar për A2 që mund të vendosin edhe të transferohen te Kryeministria për të protestuar aty.
Ora 13:20 – Një pjesë e mirë e studentëve konfirmojnë për A2 që nëse nuk do të konfirmohet plotësimi i kërkesave të tyre deri në orën 16:00, protesta do të transferohet para godinës së Kryeministrisë .
Ora 13:15 - Edhe studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë dalë sot në protestë duke iu solidarizuar studentëve të Tiranës. Ata kanë marrë një përgjigje pozitive nga rektorati për plotësimin e kërkesave. Studentët e Shkodrës nuk janë nisur për në Tiranë por kanë vendosur që të qëndrojnë në qytetin e tyre. Megjithatë, nëse deri në orën 16:00, kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, do t’i bashkohen nesër protestës së studentëve në Tiranë
Kafe dhe çaj për studentët e Shkodrës
Ora 13:00 – Studentët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” mbërrijnë në Tiranë për t’iu bashkuar protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit. Ata mbajnë flamuj kombëtarë në duar.
Ata kanë postuar në rrjetet sociale foto dhe pamje ku tregonin se autobusët e tyre ishin ndaluar të futeshin në Tiranë, por kanë ardhur në këmbë deri te godina e Ministrisë së Arsimit.
Protesta po monitorohet nga rreth 100 efektivë të repartit numër 3 në kryeqytet, por edhe efektivë të repartit “Shqiponja”
Studentët kanë ngritur një podium ku flasin me radhë duke përsëritur edhe një herë se nuk pranojnë negociata, por vetëm plotësim të kushteve të tyre.
Ora 12:00 – Protesta e studentëve përballë Ministrisë së Arsimit vazhdon prej disa orësh tashmë dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre për të mos pranuar të ulen në bisedime me Kryeministrin. Është e pamundur, thonë ata, që të zgjidhet një përfaqësi, qoftë edhe me 140 studentë, që të përfaqësojë mijëra të tjerë që kanë dalë në protestë.
Ndërkohë, pak minuta më para ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili përmes një postimi në Twitter thotë se zgjidhja e vetme është që shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë dhe dyfishimi i buxhetit për arsimin.
Ora 11:30 – Studentët nuk kanë ndërmend të ndalin protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, pa pranuar të ulen në negociata. Disa prej tyre thanë për A2 se do të vazhdojnë të qëndrojnë para Ministrisë së Arsimit edhe pas orës 16:00, ndërsa ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar nëse do të hynë në grevë apo jo.
“Ne jemi me mijëra, nuk mund të shkojnë të negociojnë vetëm disa prej nesh”, thonë studentët. “Kërkesat tona janë shumë të qarta, nuk ka nevojë për diskutime. Duhet vetëm t’i realizojë”.
Ora 11:00 – Të gjithë studentët dhe nxënëstë shkollave të mesme qëndrojnë tashmë prej disa orësh para godinës sëMinistrisë së Arsimit, ndërsa nuk pranojnë asnjë negociatë me qeverinë. Ata kanëvendosur një afat deri në orën 16:00 për plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku i kërkon edhe një herë studentëve të ulen dhe të dialogojnë, qoftë edhe në sallën e Parlamentit.
“Në parim jam dakord me pikat tuaja, porsecila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi,investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëegjëzë në distancë, po siprodukt i punës së përbashkët me laps e me letër”, shkruan Rama.
Ora 10:00 - Studentët e Fakultetit të Ekonomisë kanë mbërritur pranë Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar studentëve të tjerë të mbledhur aty që në mëngjes.
Ndërsa nga ana tjetër e rrugës, te rreth-rrotullimi i Zogut të Zi, studentët e Universitetit Bujqësor po i bashkohen protestës.
Me ta janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët i bëjnë thirrje nxënësve të Shkollës së Mesme “Qemal Stafa” të bojkotojnë mësimin dhe të dalin në rrugë.
Studentët vazhdojnë të mos dorëzohen, nuk duan negociata, por vetëm plotësim të kërkesave të tyre.
Ndërkohë, gazetarja e A2, Marsela Karapanço, raporton se në mëngjes ka pasur një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ka qenë e pranishme edhe ministrja Lindita Nikolla. Sipas burimeve nuk është diskutuar aspak për protestën, por vetëm për agjendën e Partisë Socialiste.
Ora 9:00 - Ka mbërritur në ditën e 7-të protesta e studentëve universitarë që kërkojnë ulje të tarifave të shkollimit.
Protesta e sotme parashikohet si ajo më masive, falë edhe bashkimit ndaj kauzës të shumë gjimnazeve të kryeqytetit.

Ndërkohë që shumë studentë po rrethojnë paraprakisht godinën e Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit, një korteu i paralajmëruar ditën e djeshme po niset në këto minuta nga Fakulteti i Ekonomisë, dhe pritet t’i bashkohen studentë të tjerë, prindër dhe qytetarë të thjeshtë.

Studentë nga Univesiteti i Kamzës ndodhen në zonën e Sheshit Shqiponja dhe po marshojnë drejt rrugës së Durrësit së bashku me studentë të ardhur nga qytete si Shkodra, Durrësi dhe Korça.

Studentët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre edhe pas ndërhyrjes gjatë ditës së djeshme të vetë kryeministrit Edi Rama, që kërkoi hapjen e një dialogu. (A2 Televizion)