
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas sulmit ndaj tij paraditen e sotme, gjatë protestës së opozitës nga një person, që sikurse u tha, vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Sipas Berishës, ky ishte një akt kriminal i një personi që i plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur, e që për më tepër është edhe agjent i Policisë Kriminale.
“Siç u pa, ishte një akt agresiv kriminal, i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur, por ajo që është më flagrante është se personi në fjalë është agjent i policisë kriminale. Gerti Shehu është kontingjent siç futet në doza të vogla në grupet e trafikantëve, problem me disa çrregullime, por fakti që zyra e punës shpërndau me urgjencë këtë dokument shtetëror për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur. Fakti që zyra e tij e kishte gati shkresën për t’ia dhënë gazetarëve, ju e dini që për raste të tilla këto persona përdoren, sepse një njeri normal nuk pranon kurrë të keqpërdoret. Edi Rama duke dashur të tregojë veten se është dorëjashtë, kjo tregon se është 100 për qind dorëbrenda.”
Sali Berisha
Duke folur për vërtetimin mjekësor ndaj agresorit, Berisha tha se ai vërtetim tregon se është e çuditshme se si një person i tillë mund të pajiset me patentë, në një kohë kur, sipas vërtetimit të klinikës që e ka lëshuar atë, ai person ka pasur episode të vazhdueshme të shëndetit mendor.
Berisha deklaroi se kjo është një vepër e Edi Ramës, ministrit Bledi Çuçi dhe Ardi Veliut. Këtë të fundit Berisha nuk nguroi që ta akuzonte drejtpërdrejt si personin kryesor të përfshirë në këtë çështje.
“Ky vërtetim mjekësor nuk ka asnjë datë. Ai që lexon këtë thotë se ky mund të jetë i vitit 2018, pasi thotë që u paraqit në klinikën tonë në janar 2018, por është shumë i çuditshmen se thotë gjithashtu se episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet me urgjencë në Psikiatri, ky pasi mori ndihmën, u kthye në shtëpi. Kjo tregon edhe njëherë faktin se qeveria e kishte bërë gati këtë për të justifikuar veprimin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Edi Ramës. Ky i sëmuri i Edi Ramës ka marrë rinovim patente në vitin 2022, dhe si i sëmurë psikik ky nuk mund ta merrte kurrë patentën. Pra, ky është një akt i përgatitur nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe natyrisht Ardi Veliu. Agresori është me origjinë nga Tepelena, jeton në Tiranë i ka shërbyer policisë kriminale në rrjetet kriminale dhe besimtarët e xhamisë. Absolutisht nuk mendoj që të jetë kush tjetër përveç Ardi Veliut, nuk kam asnjë provë, por Ardi Veliu është krimineli që mund të stisë dhe organizojë çdo gjë.” (A2 Televizion)
Sali Berisha