
Zelanda e Re do të ndalojë të gjitha armët gjysmë automatike dhe ato të sulmit, pas masakrës ndaj dy xhamive në Christchurch ku u vranë 50 vetë.
Sipas Jacinda Ardern, legjislacioni i ri do të hyjë në fuqi nga 11 prilli.
“Historia jonë ndryshoi përgjithmonë në 15 mars dhe ligjet duhet të ndryshojnë. Sot po njoftoj se Zelanda e Re do të ndalojë të gjitha armët gjysmë automatike dhe ato të sulmit. Do të ndalohen gjithashtu ato pjesë që mundësojnë shndërrimin e armëve në gjysmë automatike.
Ashtu si në reformën për armët në Australi në vitin 1996, përjashtime do të bëhen për fermerët të cilëve u duhen armët. Policia neozelandeze konfirmoi të mërkurën, identifikimin e të gjitha viktimave. Australiani Brenton Tarrant, i vetë quajtur supremacist i bardhë, u akuzua për njërën prej vrasjeve dhe pritet të përballet me akuza të tjera.
Tarrant, i cili glorifikonte betejat kundër myslimanëve në Ballkan zotëronte armë gjysmë automatike përfshirë një AR-15, të cilat besohet t’i ketë modifikuar në atë mënyrë që të mbanin më shumë plumba. (A2 Televizion)