Superkupa e Europës, Sevilla sfidon të pamposhturit e Bayern

Nga A2 CNN
24 Shtator 2020, 14:55 | Futboll
Superkupa e Europës, Sevilla sfidon të pamposhturit e Bayern

Edhe pse futbolli është i paparashikueshëm, statistikat tregojnë shumë. Për Bayern Munchen, shifrat tregojnë forcën e një skuadre të frikshme. 26 fitore dhe një barazim gjatë 2020-ës, 92 gola të shënuar dhe të pamposhtur në vitin kalendarik. Fitues të tre trofeve madhorë, me objektivin që të triumfojnë edhe në Superkupën e Europës. Në finalen përballë Sevilla-s, bavarezët kanë shansin të shkruajnë historinë, me synimin që viti të mbyllet me gjashtë trofe të fituar. Gjithsesi, trajneri Flick tregohet i kujdesshëm.

“Sevilla është fituese me meritë e Europa League. Janë një skuadër cilësore dhe e fort taktikisht. Do të jetë një ndeshje intensive. Të dyja skuadrat kanë shumë për të treguar dhe presim një ndeshje të nivelit tepër të lart”, u shpreh Hansi Flick, trajner i Bayern Munchen.

Humbja e fundit e Bayern është regjistruar më 7 dhjetor të 2019-ës. Në distancën e nëntë muajve, Sevilla do të provojë të thyejë kampionët e Europës, me entuziazmin e blerjeve të reja, Rakitic, Oscar Rodriguez e Acuna. Gjithsesi, ekipi i Lopetegui ende nuk është kolauduar në fushë, me debutimin në La Liga që u shty pas finales në Budapest.

“Nuk ndodh përditë të luash një finale dhe çdo trofe është i rëndësishëm. Luajmë kundër Bayern-it, ekipit më të fortë në botë për momentin, që deri më tani ka fituar gjithçka në mënyrë të shkëlqyer. Jam i kënaqur për skuadrën që kam në dispozicion dhe kam shumë besim te cilësia jonë”, tha Julen Lopetegui, trajner i Sevilla.

Finalja e Superkupës së Europës luhet mbrëmjen e sotme në orën 21:00. Sfida në Budapest është etapa e radhës për Bayern-in, që pas gjashtë ditëve luan Superkupën e Gjermanisë ndaj Dortmund dhe në fund të vitit Botërorin e klubeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos