Superliga, Dervishaj: Tërmet për sistemin mbi të cilin është ngritur futbolli. Klubet po e shikojnë si mundësi biznesi

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 21:19 | Futboll
Superliga, Dervishaj: Tërmet për sistemin mbi të cilin

Eduard Dervishaj, drejtori Ndërkombëtar dhe Operacioneve, në Federatën Spanjolle të Futbollit, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, komentoi “luftën” mes UEFA-s dhe 12 klubeve që kanë firmosur për krijimin e Superligës.

“Është një tërmet kjo që ndodhi. Është goditje që i jepet sistemit, mbi të cilin funksionon dhe solidariteti. Paratë e gjeneruara nga klubet dhe përfaqësueset, shpërndahen dhe i kthehen futbollit. Është goditje e madhe për ligat, pasi humb interesi me krijimin e Superligës, që është e mbyllur dhe jashtë funksionimit të futbollit botëror dhe evropian. E fundit, është edhe ngarkesë e kalendarit. Ngado që ta kapësh, është goditje dhe tërmet për sistemin mbi të cilin është ngritur sot futbolli”, deklaroi Dervishaj.

https://a2news.com/2021/04/19/uefa-aprovon-formatin-e-ri-te-champions-mes-polemikave-per-superligen/

Ai shtoi se Superliga do të thotë zëvendësim i Champions League: “Interesi i të gjithëve do të drejtohej nga Superliga”.

“Federata Spanjolle, si të gjitha federatat e tjera, është kundër kësaj Superlige, por i nevojshëm është edhe qëndrimi i shteteve, që të bëhet një front i përbashkët kundër kësaj ideje. Federatat dhe futbollistët kanë dalë kundër sepse krijohet një elitë që shkëputet nga baza e futbollit. Nuk do të jetë kaq e lehtë çështja nëse shkon në gjykatë dhe unë mendoj që këto 12 klube të fuqishme kanë marrë këshillimet e duhura ligjore para se të ndërmerrnin këtë hap”, shtoi Dervishaj.

Por, sipas tij, “ky proces ka nisur në vitin 2000, kur u krijua G14, që, kohë pas kohe, nisi të kërkonte të drejta gjithmonë e më shumë. Për shembull, kërkonin të ardhura për të lënë lojtarët të shkonin në kombëtare apo sigurime shëndetësore në raste dëmtimesh. Por, duhet të kuptojmë se klubet janë ndërmarrje ekonomike”.

“Kjo pritej që do të ndodhte, por ndoshta mendohej se njoftimi do të vinte në 2024-n, por klubet e shikojnë si mundësi të mirë biznesi. Nëse Bayern si fitues i Champions merr 82 milionë euro dhe vetëm për pjesëmarrje në Superligë merr 300 milionë euro… Por, futbolli është shumë më shumë se kaq. Fatkeqësisht, po rrezikohet i gjithë sistemi me këtë iniciativë”, përfundoi Dervishaj. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/04/19/jp-morgan-super-ligen-evropiane-e-financojme-ne/

A2 CNN Livestream

Latest Videos