
UEFA aprovoi me unanimitet zgjerimin dhe rimodelimin e Champions League, duke nisur nga viti 2024, në mes të polemikave që ka shkaktuar njoftimi i Superligës nga ana e 12 klubeve.
Pavarësisht kërcënimit që përbën krijimi i një kompeticioni paralel nga ana e klubeve kryesore evropiane, organizmi më i madh i futbollit evropian vijoi me planet e saj, duke zyrtarizuar zgjerimin e Champions të ri me 36 ekipe, nga 32 që ishte më parë.
Në këtë mënyrë, në pritje të negociatave mes Superligës dhe UEFA-s, duke nisur nga viti 2024, ekipet pjesëmarrëse në Champions do të luajnë minimumi 10 ndeshje, nga 6 që luhen aktualisht.
E reja kryesore është formati. Nuk do të ketë ndarje në grupe, por do të jetë një ligë me 36 ekipe. Çdo ekip, sipas renditjes, do të luajë dy ndeshje me ekipe të renditjes së ngjashme, 3 kundër ekipeve të vazos së dytë, 3 kundër ekipeve të vazos së tretë dhe 2 kundër ekipeve të vazos së katërt.
Në 1/8 do të klasifikohen direkt 8 më të mirët dhe do të ketë një “play off” mes vendit të nëntë dhe të 24 për të mësuar 8 të kualifikuarit te tjerë. Humbësit e këtij “play off” do të shkojnë në Europa League.
E reja tjetër është se do të ketë ndeshje edhe të enjteve. Në javët që do të luhet Champions të enjteve, nuk do të luhen Europa League dhe Conference League. (A2 Televizion)