Surpriza në Superiore, Teuta "habit" Tiranën, Vllaznia mposhtet nga të fundit e renditjes

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2023, 20:59 | Futboll
Surpriza në Superiore, Teuta "habit" Tiranën, Vllaznia

Ndeshjet e sotme të Superiores ndryshojnë në mënyrë domethënëse renditjes dhe ndoshta edhe fatin e kampionatit shqiptar, duke treguar se niveli mes ekipeve është shumë i afërt.  

Në “Air Albania”, Tirana humbet jo pa surprizë ndaj Teutës në krizë me rezultatin e pastër 0-2, pas një ndeshje ku durrsakët merituan ndërkohë që kryeqytetasit gabuan çdo gjë, duke qenë hija e ekipit që deri më tani ka dominuar kampionatin.

Teuta kaloi në avantazh ne minutën  e 10 me kapitenin Vila, dhe kishin mundësinë për dyfishim të rezultatit në minutën 41, por gabojnë një penallti me Kallakun.

Në pjesën  e dytë bardheblutë kanë shumë raste, por mbeten konfuzë, ndërkohë që durrsakët janë të rrezikshëm në kundërsulm, ku i anulohet edhe një gol në minutën 69 me Grudën, i cili pak minuta më vonë del me të kuqe.  Por Tirana nuk arrin të përfitojë, madje serish Vila e ndëshkon, duke ngjitur Teutën në vendin e gjashtë, jashtë luftës për mbijetesë.

Edhe më surprizuese ndoshta fitorja e Kastriotit të fundit  në Shkodër me rezultatin 0-1, ku mjaftoi goli i Mihanës për të siguruar 3 pikët për krutanët.

Shkodranët u munduan të barazonin por portieri vendas dhe traversa i mohuan një barazim që dukej rezultati më i drejtë. Ndërkohë që shkodranët nuk arrijnë të kalojnë Partizanin në vend të dytë, krutanët ndezin sërish shpresën për një përmbysje të renditjes që tani e sheh ende në vendin e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos