Tabaku: Sot po diskutojmë për standarde të vitit 1991, asnjë arritje në 7 vite

Nga A2 CNN
7 Maj 2020, 11:49 | Politikë
Tabaku: Sot po diskutojmë për standarde të vitit 1991, asnjë

Samiti i Zagrebit është zhvilluar ditën e djeshme online, ku kanë marrë pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç edhe pritej, është rrëzuar agjenda e pretenduar për shkak të pandemisë, duke e pasur atë parësore, ndërsa diskutimi për procesin e zgjerimit u barazvlerësua me mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe trajtimin e tyre si partnerë të rëndësishëm e të barabartë.

Sa i vlefshëm është ky zotim dhe çfarë lexojmë ndër rreshtat e kësaj deklarate? Për këtë foli në A2 Jorida Tabaku nga Partia Demokratike.

“Nuk po jetojmë në kohë normale dhe nuk kishte se si edhe samiti i Zagrebit të ishte normal. U dha një mesazh i fuqishëm, ai që është theksuar për Ballkanin Perëndimor. Ndihma që është angazhuar për Ballkanin Perëndimor, në veçanti për Shqipërinë ka qenë e konsiderueshme. Por çfarë arrita të veçoja unë në deklaratë? Tre elementët kryesorë që ishin: lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsioni, por më e rëndësishme në këtë kohë është se demokracia është në rrezik. Kjo ishte një thirrje që Presidentja e Komisionit e ka përsëritur vazhdimisht, një thirrje që e ka bërë edhe në mes të krizës. Arrita të kuptojë, po ashtu si në shumë raste të tjera, reformat më shumë se çdo herë tjetër do të jenë ato që do të përcaktojnë. Stimuj, por edhe ndëshkime për vendet që i shkelin këto reforma. Shqipëria ka bërë hapa pas, që nuk lidhen as me pandeminë, as me tërmetin, por me vendimmarrjen politike dhe vullnetin politik të këtyre që po na qeverisin. Deklarata e Zagrebit ishte e qartë: Doni të hapen negociatat? Atëherë, është në dorën tuaj. Unioni është aty për të na mbështetur. Ne nuk mund të ankohemi që është faji i tyre, por faji ynë dhe në dorën tonë. Metodologjia e re i ka stimujt atje, e ka atje mënyrën. Nuk ka më një kapitull që hapet dhe mbyllet, por ka grupe kapitujsh që na mundësojnë të ecim përpara.

“Në 7 vite nuk kemi pasur asnjë arritje konkrete”

“Shqipëria është vendi i vetëm në të gjithë procesin e zgjerimit, që në vend të reduktohen kriteret, ato janë shtuar, tashmë flasim për 15 kritere. Këto nuk janë akuza të opozitës, por dokumente të Këshillit. Sot Shqipëria është një vend më i keq se 7 vite më parë. Raporti i Freedom House është një kambanë alarmi që Shqipëria duhet ta ndryshojë sa më parë rrugën e saj. Raporti e theksoi se opozita nuk është në parlament pasi zgjedhjet u vodhën. Sot po diskutojmë për të drejta themelore bazë. Ky raport theksoi se atë që Këshilli e kishte theksuar në fund të marsit: Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte dhe zgjedhjet janë ndër to. Ne duhet të ishim sot vendi pararojë i të gjitha reformave sepse në vitin 2013 kemi qenë 10 herë më mirë se sot. Atëherë nuk diskutoheshin parimet bazë të demokracisë, ndërsa sot po diskutojmë për standarde të vitit 1991. Kjo krizë do të shërbejë edhe për të reflektuar të gjithë shqiptarët. Demokracia është në rrezik, por ekonomia dhe varfëria e shqiptarëve ka sjellë këtë gjë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos