
Minsitrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me homologun e saj spanjoll, ku në fokus të diskutimit ishte dhe çështja e Kosovës.
Xhaçka tha se është me rëndësi që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë dhe kërkoi nga Bashkimi Evropian më shumë angazhim.
Sipas ministres, Kosova duhet të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, pasi izolimi i saj do të ishte në dëm të të gjithëve.
“Është thelbësore që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të jenë në harmoni të plotë ndërveprimi dhe dua të theksoj se qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është veçanërisht e mirëpritur. Diskutuam edhe për çështjen e Kosovës, duke qenë një hallkë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit. Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e BE-së dhe Amerikës, për arritjen e marrëveshjes, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, shpresojmë që të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi do të ndikonte pozitivisht në bashkëpunimin rajonal. Ndërkohë, besojmë që është në të mirën e rajonit, por edhe vetë BE-së që me Kosovën të ketë një angazhim sa më të gjerë, përfshi anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, duke shmangur izolimin e saj që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, tha Xhaçka.
(A2 Televizion)