Taksa e pronës te fatura e ujit, shtyhet afati i vetëdeklarimit të banesës

Nga A2 CNN
12 Shtator 2019, 15:49 | Aktualitet

Zyrat e ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve sot kanë qenë plot. Por pjesa më e madhe e qytetarëve kanë shkuar për të paguar faturat e ujit të pijshëm dhe jo për të bërë vetëdeklarimin e banesave të tyre, mbi bazën e të cilit do të paguajnë edhe taksën e pronës.

Ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve të Tiranës kishte vendosur si afat për vetdeklarimin 15 shtatorin. Por e ka shtyrë atë deri më 30 tetor. “Përveç se u shty afati, edhe u zgjatën oraret. Qytetarët kanë mundësi edhe mbasdite të bëjnë vetëdeklarimin”, thotë Evis Gjebrea, zëvendësdrejtore e UKT.

Shembull se si llogaritet taksa e pronës.

Po çfarë dokumentesh duhet të ketë me vete një qytetar për të bërë vetëdeklaimin e banesës? Pranë zyrave të UKT-së kryefamiljari duhet të paraqesë kartën e identitetit, dokumentin e pronësisë, si dhe librezën apo faturën e ujit të pijshëm.

Drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës shpjegojnë se për banorët që nuk arrijnë ta kryejnë vetëdeklarimin deri më 30 tetor, do të bëhet një përllogaritje e vlerës bazuar në të dhënat e Hipotekës dhe ALUIZNI-t për të kaluar më pas në terren, ku do të kryhet verifikimi final.

Në fuqi nga 1 prilli, taksa e pronës nuk zbatohet

Por edhe pse taksa e re e pronës ka hyrë në fuqi ligjërisht prej 1 prillit të vitit të kaluar, ajo ende nuk po zbatohet në një pjesë të mirë të bashkive në vend. Pagesa e kësaj takse tashmë bëhet në bazë të një formule të re. Banesat do të taksohen sipas vlerës së tregut, me 0,05%, ndërsa për bizneset, taksa është 0,2% e vlerës së tregut, në zonën ku ndodhet ambienti ku ushtrohet aktivitet.

Një formulë e tillë parashikon që të paguajnë më shumë ata që kanë shtëpi apo biznese në zonat e preferuara, ku çmimet e tregut, në bazë edhe të çmimeve referencë të publikuara në fletoren zyrtare janë më të larta.

Ndryshimi në mënyrën e taksimit të pronës, jo më mbi sipërfaqe, por mbi vlerë tregu synon që të mblidhen më shumë të ardhura. Kjo pasi Shqipëria është një ndër vendet me nivelin më të ulët të arkëtimit të kësaj takse, me rreth 0,1% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, teksa vendet e tjera fqinjë e kanë gati 3% të PBB-së. Me formulën e re, bashkitë pritet të arkëtojnë më shumë nga taksa e pronës kundrejt nivelin 3,7 miliardë lekë të arkëtuara si periudhë 7 mujore për këtë vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos