“Tanku”, futbollisti më i vjetër në Britani

Nga A2 CNN
25 Tetor 2019, 11:38 | Futboll

Muajin e ardhshëm mbush 84 vjeç, por nuk do t’ia dijë fare. Dickie Borthwick nuk ka ndërmend që të ndërpresë pasionin më të madh të jetës së tij, futbollin. Lojtari më i vjetër në Mbretërinë e Bashkuar ndihet në formë dhe dëshiron të luajë përsëri, edhe pse momentalisht ka mbetur pa skuadër.

“Jam i gatshëm të bëj çdo gjë për të luajtur, dua patjetër të luaj”, thotë ai për mediat britanike. “Do të jap 100% në fushë. Jam i fortë si shkëmb dhe e dua këtë lojë”. Për t’u mbajtur në formë, veterani stërvitet në oborrin e shtëpisë së tij. “Aty përmirësoj gjuajtjen për të mbajtur këmbët të freskëta. Ndërsa çdo mëngjes, pasi çohem, dhe çdo mbrëmje para se të bie në gjumë, dal jashtë dhe marr frymë thellë dhjetë herë”.

Në zonën ku ai jeton ka mbetur vetëm një skuadër veteranësh, por gjërat nuk janë më si më parë. “Konkurrenca është shumë më e madhe sot, marrin lojtarë që janë 35-40 vjeç”, thotë Dickie, i cili ka rolin e qendërsulmuesit ose sulmuesit të krahut. “Ata nuk janë veteranë. Por unë përsëri mendoj se mund të luaj 90 minuta. Sigurisht nuk jam më aq i mirë sa para 30 viteve, por kam ritmin tim”.

Tifoz i vjetër i Manchester United, Dickie ka luajtur 1600 ndeshje në një karrierë që zgjat prej 72 vitesh. Në vitet e para, ai ka luajtur për skuadrën Ross County e më pas Invergordon Town FC në Skoci, para se të transferohej në Dorset, ku ka luajtur për një seri skuadrash në kategorinë e pestë e të gjashtë angleze. Gjatë karrierës së tij, “Tanku”, siç e thërrasin me dashamirësi, ka shënuar 400 gola.

Për të mos humbur formën, Dickie ndjek një dietë strikte. “Përpiqem të ushqehem mirë. Ndërsa nuk e teproj me birrën. Një mjek më ka thënë se dy gota birrë janë si ilaç dhe unë kam ndjekur këshillën e tij”.

Kur ishte 70 vjeç, Dickie u diagnostikua me kancer në prostatë, por falë vullnetit dhe pasionit për jetën dhe sportin, ia doli mbanë dhe vazhdoi të luante për më shumë se një dekadë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos