Më shumë se 60 persona kanë mbetur të bllokuar brenda një pub-i në Britaninë e Madhe prej 4 ditësh, për shkak të borës së dendur që solli stuhia Arwen, e cila ka bllokuar rrugën, madje dhe derën hyrëse, si dhe ka këputur kabllo të energjisë elektrike.
Megjithatë, situata nuk paraqitet aq zi pasi personat e bllokuar janë shumë të kënaqur me ushqimin, muzikën live dhe aktivitetet që po organizohen nga pronari i pub-it, i cili është munduar t'i argëtojë gjatë gjithë kohës.
Aventura e tyre në Tan Hill Inn e largët në Yorkshire Dales pritet të përfundojë sot pasi autoritetet do të ndërhyjnë për të rikthyer dhe energjinë në shumë zona.
Shumë prej të pranishmëve kanë fjetur në shtretër të improvizuar dhe dyshekë në dysheme dhe kanë parë filma në ekranin e projektorit.
Grupi i Noasis, i cili në fakt është frymëzuar nga Oasis, ka ofruar pjesën më të madhe të argëtimit muzikor dhe për këtë arsye disa nga "miqtë" nuk duan të largohen nga ndërtesa e vjetër që ndodhet 528 m mbi nivelin e detit. (A2 Televizion)