
Të dënuarit përjetë në burgun e Peqinit I kanë dërguar një kërkesë ministrit të drejtësisë Ulsi Manja. Drejtuar dhe presidentit Ilir Meta por edhe kryeministrit Rama, në letër kërkohet ndryshimi I kodit penal, më konkretisht nenit 65 të tij.
“Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”
Pjesë nga letra e të burgosurve
Ata kërkojnë heqjen e togfjalëshit vetëm në raste të jashtëzakonshme si dhe të rishihet mundësia e lirimit të tyre me kusht kur kanë kryer 25 vite burgim. Të dënuarit të cilët pritet të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre dhe në grevë urie kërkojnë përafrimin e ligjit me atë evropian ndërsa shprehen se punësimi si mjeti më i fuqishëm për riintegrimin dhe riedukimin mungon. Kurset për gjuhë të huaja mungojnë, kurset për kompjuter, elektricist, hidraulik, xhenerik, saldator dhe profesionet e ndryshme mungojnë.
Ata shkruajnë në letrën drejtuar institucioneve shqiptare se bibliotekat që ishin në klasat e sektorëve u shkatërruan dhe jo pa qëllim. Shkollimi mungon, çdo lloj aktiviteti mungon, përveçse një herë në 2 javë loja e futbollit, dhe një herë në javë mësimi i fesë. Pakënaqësi ka dhe në ofrimin e së njëjtit ushqim në këtë burg për 365 ditë të vitit.
“Nga ana shëndetësore ofrimi i të njëjtës gjellë, patate në drekë për 365 ditë të vitit dhe fasule në darkë për365 ditë të vitit, është vetëvrasëse për shëndetin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilit dita-ditës i bie imuniteti deri sa sëmuret e shkatërrohet plotësisht. Po ashtu edhe uji gëlqeror që pijmë nga rubineti ka shkaktuar e po shkakton dëme të konsiderueshme”
Pjesë nga letra e të burgosurve
Në mbyllje ata kërkojnë dhe mundësinë e lejes si të drejta njerëzore dhe legjitime. (A2 Televizion)