
Me 3 doza të vaksinës Pfizer jeni të mbrojtur nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron. Konfirmimi vjen nga Izraeli që ka publikuar të dhënat e para të një studimi. Ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, bëri thirrje për qetësi, pasi sipas tij nuk ka vend për panik.
“Situata është nën kontroll dhe nuk ka arsye për panik. Ne prisnim një variant të ri dhe jemi gati. Në ditët në vijim do të kemi informacion më të saktë për efektshmërinë e vaksinës, por të dhënat e para tregojnë se ata që kanë një dozë të tretë janë me shumë të mbrojtur nga ky variant”, tha ai.
Varianti i ri Omicron mund të ketë mbërritur në Europë përpara se sa mendohej. Këtë e konfirmuan shkencëtarët në Holandë që identifikuan dy raste mes 19 dhe 23 nëntorit. Megjithatë rastet nuk datojnë përpara atyre të raportuara në Afrikë të Jugut.
Ndërkohë, vendet në kontinentin e vjetër vijojnë të marrin masa për të luftuar variantin e ri, i cili konsiderohet i rrezikshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Qeveria e Britanisë së Madhe rrëzoi mundësinë e një izolimi, por do t’u ofrojë një dozë përforcuese të gjithë të rriturve në vend, deri në fund të janarit.
Gjermania përgatitet të diskutojë në parlament vaksinimin e detyruar për të gjithë popullatën ndaj Covid-19 dhe një lloj izolimi për personat e paimunizuar.
Masa ndëshkuese do të aplikohen edhe në vende të tjera europiane. Ata që refuzojnë vaksinën në Austri rrezikojnë gjobë deri në 3600 euro pas 1 shkurtit, kur imunizimi të bëhet i detyrueshëm. Kjo shumë mund të shkojë deri në 7200 euro nëse refuzimi i vaksinës përsëritet.
Imunizimin të detyrueshëm e bëri dhe Greqia për personat mbi 60 vjeç, duke nisur nga 16 janari. Ata që refuzojnë do të gjobiten me nga 100 euro në muaj.
(A2 Televizion)