Ka rinisur sot transporti publik në Tiranë, për të gjitha linjat e autobusëve. Duke zbatuar masat e sigurisë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, njerëzit janë parë të përdorin maska, një masë kjo në fakt e detyrueshme.
I detyrueshëm është edhe distancimi fizik, diçka që duket pak më e vështirë për t’u respektuar, siç tregojnë fotot e realizuara këtë të hënë në mëngjes.
Unioni i Transportit Publik dhe operatorët nuk ishin dakord me nisjen e punës, për shkak se kishin paqartësi për mënyrën se si do të respektoheshin masat e sigurisë, por kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, tha se ata operatorë që nuk rinisnin aktivitetin rrezikonin heqjen e licencës.
Për muajin korrik nuk do të shiten abone dhe përgjatë këtij muaji qytetarët mund të blejnë ato të gushtit, ndërsa çmimi i biletës nuk ka ndryshuar.
Prej javësh ka nisur të funksionojë transporti ndërqytetës, ndonëse vështirësitë që u hasën në ditën e parë ishin të shumta. Disa prej këtyre linjave ndërqytetëse tashmë e kanë ndërprerë herë pas here punën, pasi dalin me humbje, ndërsa pritet që transporti publik në Tiranë të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, të cilët kanë afro 4 muaj që nuk përdorin linjat e urbanëve. (A2 Televizion)