
“Nëse Rusia përjashtohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB do të binte krejt sistemi i OKB që është ndërtuar mbi strukturën e 5 organeve kryesore ku KS kontrollohet nga 5 fuqitë e mëdha dhe mekanizmi i vetos por fakti që ka kaluar për pezullimin nga komisioni i të drejtave të njeriut e është i rëndësishëm si reagim i faktorëve universalë ndërkombëtarë”. Kështu u shpreh profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Lisien Bashkurti për largimin e Rusisë nga Komisioni i të drejtave të njeriut i Gjenevës.
Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se Rusia e meriton një largim të tillë, pasi po bën krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Dhe në këtë kontekst ai sugjeron dërgimin e misioneve faktmbledhës ndërkombëtarë për verifikim të tyre.
“Karta e OKB dhe deklarata universale të drejtave të njeriut janë dy instrumentat më të shenjtë që ka prodhuar njerëzimi pas dy luftërave botërore, që mbron të drejtat e njerëzve, popujve nga krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit. Rusia po bën krime e madje dhe gjenocid dhe meriton një largim të tillë. Të 3 këto krime janë prezente në Ukrainë por se në ç’masë janë ngelen për t’u provuar. Krimet e luftës kanë të bëjnë me shkeljet e të drejtave të palëve që janë konfrontuar ushtarakisht të drejtat e ushtarëve dhe trupat e ushtarëve të viktimizuar. Konventa ka rregulluar mekanizma. Krimet kundër njerëzimit kalojnë frontet ushtarake dhe godasin popullsinë civile. Gjenocidi përbën një shkallë të lartë të krimit kolektiv për shfarosjen e grupeve racore etnike dhe këto ndëshkohen nga e drejta ndërkombëtare. Në Ukrainë ka elementë të tillë, por duhet të jemi të kujdesshëm, se teknologjia, dhe fake news krijojnë dezinformim. Është e domosdoshme të çohen misione faktmbledhëse, sepse vetëm ato mund të zbardhin të vërtetat që po bën Rusia atje”.
Në të njëjtën linjë edhe profesori Medlir Mema, i cili theksoi se përkundër hetimit nga gjykata ndërkombëtare, duhet edhe një gjykatë ad hoc për krimin e agresionit rus, ku Putin do të ishte drejtpërdrejt nën hetim.
“Gjykata ka hapur një hetim për krime lufte, pastaj vijnë faktet që duhen hetuar. Ishin mbi 39 vende që kanë kërkuar për të hetuar këtë çështje dhe vetë gjykata ka thënë që ka hapur çështjen jo vetëm për krimet e mundshme por edhe pushtimin e Krimesë. Hetimet kanë nisur dhe janë në fazë të avancuar. Për krimet në Bucha, CIA ka ndërhyrë për të dokumentar këto krime. Ka nevojë për gjykatë ad hoc specifike për krimin e agresionit ku Putin do të ishte drejtpërdrejt nën hetim. Ka disa mekanizma”. (A2 Televizion)