
Presidenti Ilir Meta i është drejtuar për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. “Kam depozituar kërkesën për shfuqizimin e ligjit që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës, Teatrin Kombëtar. Me prishjen e teatrit, synohet të zhduket trashëgimia kulturore. Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të vendosë sa më shpejt për pezullimin e këtyre akteve normative, që janë antikushtetuese. Bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore. Duke qenë se pasuria që kalon në pronësi të bashkisë ka emërtim Teatri Kombëtar, kjo bashki nuk mund të shprehet për çështje që kalojnë kompetencën e juridiksionit vendor”, tha Meta.
Çfarë nuk pranon Presidenti, është kthimi i Bashkisë në ekzekutuese e vullnetit të kryeministrit. “Qëllimi për shkatërrimin e godinave aktuale të kompleksi të Teatrit Kombëtar është vendosur dhe urdhëruar në mënyrë të detyruar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që kryetari i bashkisë dhe Këshilli Bashkiak mbetet vetëm që ta vendosin në ekzekutim këtë vullnet politik të qeverisë dhe kryeministrit”.
I pyetur nëse do të zbriste në shesh për të mbrojtur Teatrin, Meta preferoi të dërgonte këtë mesazh të drejtpërdrejtë. “Sa i takon ndonjë karagjozi që kërkon të bëjë prova force me presidentin apo me dikë tjetër, duhet ta kenë të qartë që presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë dhe i ka bërë paralajmërimet e përsëritura”.
Ndërsa kryebashkiakut Veliaj, që pak ditë më parë fliste për gomerë që ndërhynë në punë të cilat nuk i njohin, Meta iu përgjigj me buzën në gaz.
Presidenti kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë bashkërisht padinë për ligjin special për shembjen e teatrit dhe vendimin e qeverisë që e kalon godinën në pronësi të bashkisë. Deri në atë moment, sipas Metës, duhet të pezullohet çdo veprimtari apo akt mbi Teatrin Kombëtar. (A2 Televizion)