Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e Gardës së Shqipërisë

Nga A2 CNN
29 Shtator 2021, 10:48 | Aktualitet
Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e

Nga tetori nis rikonstruksioni i Teatrit të Kukullave, por me që ajo ndërtesë nuk ka vend mjaftueshëm për fëmijët, ministria e Kulturës dhe Bashkia do të ndërtojnë një Qendër të re për Fëmijët. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njofton se kjo qendër do të ndërtohet në territorin e "Gardës së Shqipërisë".

"Godina aktuale e Teatrit të Kukullave nuk arrin të përmbushë nevojat për zhvillimin e aktiviteteve edukuese e kreative për fëmijët. Në të vërtetë, Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë ka funksionuar në të tjera ambiente, veçmas me ato të Teatrit të Kukullave, që aktualisht është në zonën e ish-Kinostudios. Nisur nga mungesa e hapësirave, në përputhje me prioritetet e qeverisë, lidhur me edukimin e brezit të ri, është menduar ngritja e një qendre të re për fëmijët. Madje jo një qendër, por një pol kulturor, ku të bëhen bashkë në të njëjtat hapësira disa institucione kulturore.

Qendra Kombëtare të Kulturës për Fëmijë do të shtrihet në një hapësirë prej 4800 m2 dhe do të ketë salla ekspozimi, teatër kukullash, hapësira mësimi dhe rekreacioni, mjedise publike në funksion të aktiviteteve kulturore etj.

Një vit më parë u hartua masterplani, që do të përfshijë Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës, duke ofruar një zgjidhje afatgjatë për to. Plani identifikoi transformimin e hapësirës territoriale të “Gardës së Shqipërisë” nga një hapësirë ekskluzivisht institucionale, në një hapësirë përfshirëse për publikun", njoftohet përmes Ministrisë së Kulturës.

Në javën e tretë të muajit tetor, nis restaurimi i godinës së Teatrit të Kukullave, i cili do të jetë gati në vitin 2023, sipas parashikimeve. Edhe këtu do të jetë tabela "Europa është këtu", pasi ndihma financiare vjen nga EU4CULTURE.

Qëllimi kryesor është ruajtja e trashëgimisë, minimizimi i problemeve dhe ofrimi i kushteve optimale për vizitorët dhe stafin artistik e administrativ të këtij institucioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos