Teknikat e avancuara për ndërhyrjet në tru, nga se vuajnë më shumë shqiptarët?

Nga A2 CNN
13 Prill 2023, 08:44 | Aktualitet
Teknikat e avancuara për ndërhyrjet në tru, nga se vuajnë

Truri njerëzor mbetet ende një nga misteret më të mëdha edhe për shkencën. Por sa më shumë kalojnë vitet aq më shume zhvillohen teknikat e avancuara për ndërhyrjet në tru.

Sëmundja më e shpeshtë në vendin tonë është hernia diskale, pasuar nga tumoret. Kështu u shpreh në “Dita Jonë” shefi i neurokirurgjisë, Artur Xhumari, sipas të cilit, mjekësia shqiptare po rrit aftësinë për ta diagnostikuar sëmundjen.

“Sëmundja më e shpeshtë në vendin tonë është hernia diskale, pasuar nga tumore, që janë gjysma të mirë e gjysma të këqinj. Po rritet aftësia jonë për ta diagnostikuar sëmundjen dhe ky është indikator i besimit në mjekësi.”

Prej disa vitesh në Shqipëri, po kryhen operacione në tru me pacientë në gjendje të zgjuar. Ndonëse ende numërohen me gishtat e dorës, shefi neurokirurgjisë Artur Xhumari foli për këtë ndërhyrje dhe për rrugët e vështira të kardiokirurgjisë.

“Jo vetëm operon, por ajo që ke në mendje është a po i bëj dëm? Te ne heqja mund të sjellë dëmtimin e zonave normale. Ne jemi shumë në ankth se jemi të detyruar ta kemi zgjuar pacientin se po punojmë në zona delikate të trurit. Shumë rrallë del nga operacioni me ndjesinë që ka shkuar keq. Katastrofat në sallë janë shumë të rralla”.

Xhumani theksoi se mesatarja në ditë si shërbim është 8-10 operacione në ditë, kurse si mjek 1 ose 4-5 kur janë operacione të vegjël.

I pyetur se çfarë duhet të bëjmë për ta mbajtur trurin të shëndetshëm, Xhumari shprehet: “Truri mëson. E para që duhet të bëjmë është ta ushqejmë, të mos pimë duhan dhe alkool që janë helme për trurin, ta ushqejmë duke lexuar dhe duke diskutuar. Një tru që lihet pa punë do thahet si muskuli pa punë dhe vjen më shpejt skleroza”.

Artur Xhumari është djali i një prej themeluesve të neurokirurgjisë, profesor Arian Xhumari, duke vijuar me krenari edhe traditën e familjes së tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos