
Ndryshimet e bëra në buxhetin e këtij viti i shtuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një fond prej 673 milionë lekësh, për identifikimin biometrik dhe votimin e numërimin elektronik.
Zëvendëskryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku tregon për A2 se këto para janë fillimi i punës për të prokuruar pajisjet elektronike.
“Me miratimin e aktit normativ i cili përmban edhe parashikimin për 20% të asaj çka është identifikuar nga KQZ si fond i nevojshëm për të dyja projektet, i hapet rruga tashmë KQZ-së që të vijojë me procedurën e përzgjedhjes së kompanive”, shprehet Pelingu.
Koha në dispozicion për implementimin e identifikimit biometrik është e pakët, por për numrin dy të KQZ-së kjo nuk e cenon projektin: “Patjetër që ne nuk kemi shumë kohë, përkundrazi, por në bindjen time koha është e mjaftueshmë për të kryer këto procedura, projekti të implementohet, ai i identifikimit elentronik. Unë nuk mund të mendoj dhe nuk ma lejon detyra të mendoj për një plan tjetër për këtë projekt. KQZ ka për detyrë identifikimin elektronik në 100% të zgjedhësve”.
Përsa i përket projektit-pilot të votimit dhe numërimit elektronik, Pelingu tregon detajet se si është parashikuar të implementohet: “Është llogaritur në 1100 qendra votimi. Përsa i takon qarkut apo qarqeve se ku do të zbatohet, kjo mbetet një zgjidhje që mund të merret më vonë. Nuk e ndikon procesin. Ajo që është e dhënë e sigurt është se Qarku i Tiranës është i përjashtuar për shkak të tejkalimit të 20%, që është edhe tavani që përcakton Kodi Zgjedhor”.
Përdorimi i teknologjisë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ishte një nga kërkesat kryesore të demokratëve, mbi të cilat mazhoranca u dakordësua në Këshillin Politik. (A2 Televizion)