Ralf Gjoni: Në 3 milionë banorë nuk gjejmë dot 3 veta që të kandidojnë për Gjykatën Kushtetuese

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2020, 12:23 | Politikë
Ralf Gjoni: Në 3 milionë banorë nuk gjejmë dot 3 veta

Nga tre emra kandidatësh që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të çonte për votim në Kuvend, për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, në fletën e votimit këtë të enjte deputetët kanë vetëm një.

Deputeti Ralf Gjoni e quajti këtë shkelje të Kushtetutës. “Unë sot kam përpara një fletë votimi me një emër. Kushtetuta më thotë që të zgjedh një emër nga tre në listë. Pse na shtyni të shkelim Kushtetutën?”, tha Gjoni. “Në 3 milionë banorë nuk gjejmë dot 3 vetë që të kandidojnë për Gjykatën Kushtetuese”.

Por, për mazhorancën, procesi për thirrjen e kandidatëve është hapur 4 herë dhe tashmë Kuvendi i ka kryer të gjitha procedurat për të çuar një anëtar të ri në Kushtetuese. “Është gjykuar që Kuvendi të vazhdojë procedurën edhe pse është një kandidat. Do të doja të theksoja që edhe nëse nuk miratohet, brenda 30 ditëve miratohet kandidati i propozuar nga KED. Prandaj, nëse doni që të kemi Gjykatë Kushtetuese ju ftoj ta votoni”, tha drejtuesja e seancës, Vasilika Hysi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos