Avokatja Brunilda Lika ka rrëfyer në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN përjetimet e ngjarjes së 6 tetorit, ku në sallën e gjyqit u vra gjykatësi i Apelit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja.
E ndodhur në sallën ku avokatët përgatiten për të hyrë në seancat gjyqësore, bashkë me kolegët e saj, ajo zbuloi se paniku i mbërtheu kur nisën të dëgjonin britmat: “Armë, armë”.
“Përjetimi kuptohet se cili është, ishte një panik që mbizotëroi në godinën e gjykatës së Apelit. Ndodheshim me avokatët në sallën ku presim për të hyrë në seancat gjyqësore dhe aty dëgjuam nga kolegë të tjerë të cilit ishin para nesh në godinë, ku thirrën: “Armë, armë”. Dhe ne detyrimisht u grumbulluam në hapësirën e Sekretarisë, për të qenë sa më të sigurt. Ishte një tmerr pa diskutim. Është një akt i rëndë dhe do të mbetet një akt i rëndë sulmi ndaj gjyqtarit. Pasi nuk ishte vetëm sulm ndaj një gjyqtari. Ky ishte sulm ndaj shtetit të së drejtës, ndaj institucioneve të drejtësisë ndaj ne përfaqësuesve të ligjit por edhe ndaj qytetarëve që besojnë ende tek drejtësia sepse unë e kuptoj që ka një zhgënjim të jashtëzakonshëm tek sistemi i drejtësisë, nga pjesa më e madhe e qytetarëve por ka një pjesë që ende duan të besojnë aty”, tha Brunilda Lika në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
Më tej ajo shtoi se “sulmi na tregoi edhe njëherë sesa i brishtë është sistemi i sigurisë në gjykata, në institucionet ku zbatohet ligji”. “Unë nesër sërish duhet të jem në Gjykatën e Apelit për një proces gjyqësor. Nuk e di është pa diskutim një traumë dhe në fakt nga kjo ngjarje është zbuluar edhe një mllef i jashtëzakonshëm për ne përfaqësuesit e ligjit…”, deklaroi avokatja në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
Kur u pyet nëse është e frikësuar para rikthimit në punën e përditshme në gjykata ajo u përgjigj: “Jo nuk kam frikë sepse e njoh veten time profesionalisht”. (A2 Televizion)