
Konferenca e donatorëve për të mbledhur fonde për Shqipërinë për përballimin e kostove nga tërmeti i 26 nëntorit, për opozitën do të jetë një dështim i plotë. Kështu tha ekonomisti Dorian Teliti, shef i kabinetit të kreut të PD, Lulzim Basha, i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2.
Sipas tij, vlera e dëmeve është shumë e madhe, por problematike është si do të financohet kjo vlerë.
“Për hir të së vërtetës Kryeministri po mundohet të ngrejë frymën para konferencës së donatorëve, por për mendimin tonë ajo do të jetë një dështim i plotë. Sepse donatorët kanë një mënyrë të sjelluri, të menduari dhe të marrjes së vendimeve”, tha Teliti.
“Ata kërkojnë dy gjëra: E para, bëj detyrat e shtëpisë, pra bëj çdo lloj shkurtimi buxhetor, çdo lloj lehtësie fiskale për zonat e prekura, hiq çfarë mund të heqësh nga buxheti ato që nuk i ke të domosdoshme. Kjo nuk po ndodh. Në momentin e dytë, që ndodh kjo, atëherë edhe në rast se do të miratohen 50, 100 ose 150 milionë euro, e cila do të jetë vlera maksimale që mund të miratohet, në krahasim me 1 miliardë euro që është nevoja jonë, do të duhet kohë fizike. Edhe sikur të vinin 200 milionë euro nga donatorët, do të kishim 800 milionë të tjera që do të duhet të financohen nga Qeveria shqiptare”.
Sipas Telitit, praktikat më të mira, bazuar edhe në përvojat e kaluara të vendeve të tjera të prekura nga tragjedi të tilla natyrore, janë shkurtimi i shpenzimeve të panevojshme, bllokimi i investimeve që nuk kanë filluar jetën e tyre dhe shkurtimi i çdo shpenzimi të kontestuar politikisht. “Duhet një menaxhim super i mirë i financave publike. Vetëm vitin e kaluar mungojnë 200 milionë euro nga paratë e taksapaguesve në arkën e shtetit. Këto para kanë shkuar në xhepat e korrupsionit dhe evazionit”, tha ai.
Teliti tha se nëse Qeveria nuk zbaton propozimin e opozitës për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset në zonat e prekura nga tërmeti, atëherë ato do të falimentojnë. “Sipas planit të Qeverisë, nuk do të ketë lehtësira fiskale për këto biznese. Por, siç e tha edhe Banka Botërore një ditë më parë, nëse kjo ndodh, ato do të ulin qepenin. Kjo do të bëjë që shteti nuk do të marrë asnjë lekë prej tyre nga taksimi. Ne themi që të ketë ulje drastike të taksave, ndoshta edhe 10 herë më pak, por të paktën në fund shteti do të marrë diçka. Gjithashtu, kjo nismë siguron vazhdimësinë e biznesit”, u shpreh ai. (A2 Televizion)