
Departamenti Amerikan i Shtetit,
jep detaje nga takimi që sekretari Mike Pompeo zhvilloi me kryeministrin e
Shqipërisë, Edi Rama.
Në njoftim për shtyp të DASH
thuhet se sekretari Pompeo riafirmoi mbështetjen e SHBA për synimin e
Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Pompeo bisedoi me Ramën dhe për reformën
në drejtësi, atë zgjedhore dhe NATO-n.
“Sekretari i Shtetit, Michael
Pompeo u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington. Sekretari
Pompeo dhe kryeministri Rama diskutuan rreth priopriteteve gjatë kryesimit të
OSBE nga Shqipëria. Sekretari ritheksoi mbështetjen e fortë të SHBA për
qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe reformën në
drejtësi dhe atë zgjedhore.
Sekretari përgëzoi Kryeministrin
për përkushtimin e palëkundur të qeverisë së tij ndaj ndarjes së barrës së
NATO-s, për reagimin kundër veprimtarisë dashakeqe të Iranit dhe për
ndërmarrjen e një roli udhëheqës rajonal në mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit
të gjeneratës së ardhshme”, shkruhet në njoftimin e DASH.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka
zgjedhur rrjetet sociale për të dhënë detaje nga takimi me zyrtarin e lartë
amerikan, Mike Pompeo.
“Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën Anti KÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë - Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Edi Rama në Facebook. (A2 Televizion)